Hamza: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale është detyrim moral dhe shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur sot fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke theksuar se drejtësia për ta mbetet një nga sfidat më të mëdha dhe më të ndjeshme për shtetin dhe…

Lajme

14/04/2026 18:40

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur sot fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke theksuar se drejtësia për ta mbetet një nga sfidat më të mëdha dhe më të ndjeshme për shtetin dhe shoqërinë.

Në fjalën e tij, Hamza u shpreh se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por vetëm atëherë kur drejtësia arrin tek ata që mbetën me plagët e saj, duke nënvizuar se mijëra gra dhe burra në Kosovë ende presin drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre.

“Derisa këto krime mbeten të pandëshkuara, ndërgjegjja jonë kolektive dhe ajo ndërkombëtare mbetet e sfiduar. Nuk mund të ketë paqe të plotë pa drejtësi të plotë,” tha Hamza.

Ai theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte akt i rastësishëm, por një strategji e paramenduar nga shteti serb për të thyer shpirtin e popullit të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, kjo përpjekje dështoi përballë qëndresës dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.

“Gratë dhe burrat e Kosovës nuk u thyen. Ata triumfuan mbi dhunën, duke ruajtur dinjitetin dhe duke ndërtuar jetën përpara,” u shpreh ai.

Kryetari i PDK-së ngriti shqetësimin për mungesën e drejtësisë për viktimat, duke e cilësuar si të padrejtë kontrastin mes mosndëshkimit të krimeve të luftës dhe proceseve të gjata gjyqësore ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Gjatë fjalimit, Hamza rikujtoi edhe angazhimin institucional të PDK-së, duke theksuar se javën e kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht një rezolutë të propozuar nga kjo parti për mbrojtjen e të vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës.

“Përmes kësaj rezolute, ne jemi zotuar se do të mbrojmë të vërtetën historike dhe dinjitetin e viktimave pa asnjë dallim, ndaj çdo përpjekjeje për ta deformuar atë,” tha ai.

Hamza theksoi se është përgjegjësi e institucioneve që të mbështesin më fuqishëm të mbijetuarit, duke ndërtuar politika dhe mekanizma që jo vetëm i njohin, por edhe i fuqizojnë ata.

Në fund, ai u drejtua drejtpërdrejt të mbijetuarve, duke vlerësuar guximin dhe forcën e tyre për të vazhduar përpara përkundër traumës së përjetuar.

“Ju nuk përcaktoheni nga krimet që janë kryer ndaj jush, por nga forca me të cilën u ngritët sërish. Kosova qëndron me ju. Historia do të kujtojë guximin tuaj,” përfundoi Hamza.