Hamiti- Gërvallës: Figura e Rugovës s’mund të jetojë në një parti në shuarje e sipër që iu bashkua VV-së, LDK është gardiane e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe figura e ish-presidentit Ibrahim Rugova së fundi kanë qenë pikënisje e shumë deklarimeve e debateve në vend. Dikush nga LDK, tjetër kush nga Guxo flasin vazhdimisht se si Rugova “përfaqëson” ende këto parti. Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe figura e ish-presidentit Ibrahim Rugova së fundi kanë qenë pikënisje e shumë deklarimeve e debateve në vend.
Dikush nga LDK, tjetër kush nga Guxo flasin vazhdimisht se si Rugova “përfaqëson” ende këto parti.
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, ka folur për rolin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, duke thënë se Rugova ka qenë prijësi i lëvizjes për liri e pavarësi në vitet e 90-ta.
Në një deklarim për lajmi.net, Hamiti tha se Rugova ishte themelues dhe prijës i LDK-së, për të cilin tha se mori mbi supe fatin e popullit kosovar, që në rrethana të vështira kishte arritur ta ruante substancën shqiptare.
“Ibrahim Rugova u bë zëdhënësi dhe prijësi i popullit të Kosovës në vitin 1989. Ai e themeloi dhe i priu Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë antikomuniste shqiptare në këto hapësira, kur kjo mori mbi vete fatin e popullit dhe vendit të vet. Presidenti Ibrahim Rugova e udhëhoqi lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, strumbullar i së cilës ishte LDK-ja, që e bëri shtetin, Republikën e Kosovës të viteve 90-të, që në rrethana të papërsëritshme e ruajti substancën njerëzore shqiptare – rezistoi dhe luftoi populli ynë edhe me armë (UÇK) për shtetin e pavarur të Kosovës”, tha ai.
Profesori universitar tha se edhe pse Rugova ndërroi jetë pa e parë të përfunduar pavarësinë e Kosovës, ai mbetet “Ati Themeltar i shtetit tonë”, pasi sipas tij, çështja e Kosovës u bë e njohur në botë falë tij.
“I zgjedhur katër herë President i Kosovës, dy herë para lufte, dy herë mbas lufte, Rugova shkoi nga kjo botë pa e parë të përmbyllur këtë proces, që ishte i paevitueshëm tashmë falë punës së tij, të organizimit shembullor nacional të cilit i priu ai. Prandaj, Ibrahim Rugova është Presidenti ynë historik dhe Ati Themeltar i shtetit të Kosovës. Njeriu me të cilin na njohu bota demokratike dhe na identifikon edhe sot, sepse Rugova dhe Kosova janë binom i pandashëm në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e botës”, tha Hamiti për lajmi.net.
I pyetur se si qëndron sot Kosova dhe nëse është në rrugën ku do të dëshironte presidenti Rugova, Hamiti përmendi arritjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, siç janë njohjet nga më shumë se 100 shtete, anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar e në shumë organizata tjerë të rëndësishme.
“Kosova është sot vend i njohur nga më shumë se 100 shtete, anëtare të OKB-së, nga shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, ku synojmë të integrohemi. Kosova u bë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, për shpejt mbas pavarësimit (2009), sikur edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (2012). U bëmë anëtarë të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (2014); kemi fituar medalje në Lojërat Olimpike. U bëmë anëtarë të UEFA-s dhe të FIFA-s (2016). Më 2016 Kosova e nënshkroi marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, marrëveshja e parë kontraktuale e vendit tonë me BE-në”, tha ai.
Ndërkaq, për mungesën e njohjeve dhe mos anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë të rëndësishme gjatë katër viteve të fundit, Hamiti tha se kjo ka ndodhur për shkak të qeverisjes së vendit nga Albin Kurti.
Për këtë, ai përmendi dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vendosjen e sanksioneve të BE-së, për të cilat tha se vendit po i kushtojnë me qindra miliona euro.
“Kosova ka ngecur në këto katër vjet, prej kur këtu keqqeverisë Albin Kurti me Vetëvendosjen e tij dhe satelitët e tyre. Asnjë njohje ndërkombëtare s’i ka ardhur Kosovës gjatë këtij mandati qeverisës. Asnjë anëtarësim me peshë në institucione ndërkombëtare. Qeveria e Vetëvendosjes dështoi ta anëtarësojë Kosovën në Këshillin e Evropës vitin e kaluar, kur dukej gati punë e kryer. procesin e dialogut me Serbinë që duhej të çonte përfundimisht në njohje reciproke, kjo Qeveri e ka degraduar në proces të normalizimit të status kuosë”, tha Hamiti.
“Ndërkohë, prej qershorit të vitit 2023, Kosova është nën regjim sanksionesh të BE-së për fajin e Qeverisë Kurti. Vlera e projekteve që ka humbur Kosova për shkak të sanksioneve në fuqi shkon në qindra milionë euro, dikush thotë mbi gjysmë miliard euro”, shtoi ai.
Hamiti po ashtu tha se me një Qeveri të re të djathë, Kosova kthehet në rrugën që e ka trasuar presidenti Ibrahim Rugova.
“A është Kosova në rrugën që do ta dëshironte presidenti Rugova?” – pyesni ju. Prej kësaj që po e shohim, me këtë Qeveri të majtë në largim, natyrisht që jo. Por, shpresoj unë, së shpejti, me një Qeveri të djathtë, Kosova do të kthehet në rrugën që e ka trasuar Presidenti Ibrahim Rugova”, potencoi ai.
Anëtari i kryesisë së LDK-së foli edhe për ndryshimin e qëndrimeve të kreut të VV-së Albin Kurti, i cili ish-presidentin Ibrahim Rugova e kishte quajtur si “kolaboracionist” në ditën e vdekjes së tij, 19 vitë më parë.
Hamiti tha se Kurti me sejmenët e tij vazhdimisht e kanë denigruar presidentin Rugova, por që tash i ka ndërruar fjalët, si për shumëçka tjetër.
“E shanin Presidentin Ibrahim Rugova si kolaboracionist të Serbisë ditën e varrimit të tij më 26 janar 2006, kur qindra mijëra kosovarë i bënin nderime Atit Themeltar të shtetit tonë. E kanë denigruar vazhdimisht Presidentin historik Albin Kurti me sejmenët e vet. Tash, si për shumëçka tjetër, Kurti i ka ndërruar fjalët. Po flet mirë për Rugovën, por po e denigron për hesape elektorale LDK-në, partinë që e themeloi dhe drejtoi Rugova për 16 vjet”, theksoi Hamiti për Lajmi.net.
Kurse, duke folur për komentet e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ditë më parë kishte deklaruar se “LDK-ja e Rugovës ka vdekur, por shpirti i tij jeton në partinë Guxo”, Hamiti tha se shpirti fisnik i Rugovës nuk mund të jetojë në një parti në shuarje e sipër, që iu është bashkuar VV-së së Kurtit.
Ai tha se LDK-ja si partia e parë shqiptarë anti-komuniste po përbuzet nga Qeveria e VV-së, pjesë e së cilës është edhe partia Guxo e Donika Gërvallës.
“Shpirti fisnik i Rugovës, figura e tij e madhe nuk mund të jetojë në një formacion të vogël, në shuarje e sipër, që për hesape të veta elektorale është kooptuar në VV-në e Kurtit. Kjo zonja Gërvalla-Schwarz e ka pasë quajtur Kurtin komunist. Tash është rreshtuar me të. Siç e thashë në përgjigje ndaj pyetjes suaj të parë, LDK-ja e Ibrahim Rugovës është partia e parë demokratike, antikomuniste, në këto troje, ndërsa ai vetë Ati Themeltar i shtetit të Kosovës, të cilin për fat të keq po e përbuz Qeveria e Vetëvendosjes, shërbestare e së cilës është edhe Gërvalla-Schwarz”, deklaroi Hamiti.
Zyrtari i LDK-së foli edhe për zgjedhjet 9 shkurtit, duke thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të votojnë për një pushtet që i kanë sjellë dëme vendit.
“Është e logjikshme që qytetari i Kosovës të mos i votojë këta që e duan pushtetin, por jo shtetin e Kosovës. Pushtetin e kanë konsumuar katër vjet, duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit të Kosovës, si dëme materiale (sanksionet, humbja e qindra milionë eurove, mbase mbi gjysmë miliardi euro, siç e thashë) ashtu e edhe dëme të pamatshme jomateriale (reputacioni i dëmtuar në arenën ndërkombëtare, si vend nën sanksione). Kaq e thjeshtë është: nuk duhet ta votojë shqiptari i Kosovës koalicionin politik që i përbuz hapur simbolet e shtetit të Kosovës, të cilin e sheh si të përkohshëm, me fjalë të tjera të konsumueshëm, të zhbëshëm”, thotë Hamiti.
Hamiti beson se votuesit kosovarë do ta zgjedhin një qeveri të djathtë, në krye me LDK-në, për të cilën tha se është gardiane e Kosovës demokratike e sovrane.
“Mbas dështimit spektakular të Qeverisë së majtë, besoj se qytetarët e Kosovës do të zgjedhin Qeveri të djathtë, të cilës do t’i prijë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht si parti e vlerave të lirisë e të demokracisë, të ekonomisë së tregut, me orientim të palëkundur euro-atlantik, trashëgimi e Ibrahim Rugovës, Atit Themeltar të shtetit tonë. LDK-ja është gardianja e Kosovës demokratike, të pavarur dhe sovrane. Këtë duhet ta kenë parasysh, dhe uroj ta kenë parasysh, votuesit më 9 shkurt”, theksoi Hamiti për Lajmi.net. /Lajmi.net/