Haliti: Nuk kemi vija të kuqe për Vetëvendosjen – ja çfarë koalicioni na duhet

Xhavit Haliti beson se për stabilitetin politik dhe institucional të vendit, nevojitet një koalicion mes subjekteve të mëdha politike. Në të kundërtën, një koalicion që do ta përjashtonte Lëvizjen Vetëvendosje nga kalkulimet, do të nënkuptonte zgjedhje eventuale të reja brenda një periudhe disa-mujore. Në një deklarim në Tëvë1 të hënën, ish-deputeti i PDK-së, njëkohësisht kandidat…

Lajme

08/06/2026 14:07

Xhavit Haliti beson se për stabilitetin politik dhe institucional të vendit, nevojitet një koalicion mes subjekteve të mëdha politike.

Në të kundërtën, një koalicion që do ta përjashtonte Lëvizjen Vetëvendosje nga kalkulimet, do të nënkuptonte zgjedhje eventuale të reja brenda një periudhe disa-mujore.

Në një deklarim në Tëvë1 të hënën, ish-deputeti i PDK-së, njëkohësisht kandidat për një mandat të ri, u shpreh se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik – as për Vetëvendosjen.

“Tani ne nuk kemi pasur në asnjë palë zgjedhje vija të kuqe – nuk kemi as tani – por bisedimet lidhur me koalicionin duhet të jenë të vlerësuara dhe në përputhje me kërkesat që ka PDK-ja në qoftë se hyn në bisedime. Mendoj që nuk duhet shkuar në bisedime me tri vija të kuqe. Bisedimet duhet të jenë shumë serioze, duhet të jenë me qëllim që t’i shërbejnë ata që janë në Qeveri të Kosovës, jo vetvetes”, tha ai.

Haliti tha është herët të diskutohet për skenarët e mundshëm rreth qeverisë së re – sidomos për një skenar të formimit eventual të qeverisë nga partitë opozitare (PDK-LDK-AAK).

“Nuk kemi diskutuar ende me askënd dhe është herët të flasim për këtë”, tha Haliti.

Por, ai shtoi se “nëse duam të shkojmë në zgjedhje pas disa muajsh”, atëherë mund të formohet një qeveri e opozitës. Por, Haliti tha se nuk e sheh të mundshëm të arrihet stabiliteti i nevojshëm politik përmes një qeverie të opozitës.

Lidhur me bojkotin e lartë të zgjedhjeve nga qytetarët, me rreth 20% pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, Haliti renditi disa faktor që, sipas tij, kanë ndikuar në rënien e numrit të votuesve.

“Qytetarët, një pjesë e madhe kanë shkuar në plazh sepse ka qenë koha e mirë. Kuptohet, kemi pesë palë zgjedhje brenda dy vitesh dhe kjo me qenë me shpërnda diçka të ëmbël për qytetarët është problem e jo më që të presin në radhë për zgjedhje, të na shohin neve duke treguar ofertat tona, është problem”, vlerësoi ai.

“Unë i shoh si problematike zgjedhjet e shpeshta dhe kohën e përshtatshme për plazh”, vazhdoi deputeti i disa legjislaturave. “Një pjesë tjetër e njerëzve s’kanë dal në zgjedhje sepse, siç kam biseduar edhe sot me disa miq të mi, nuk kanë parë zgjidhje nga këto zgjedhje”.