Haliti: LDK-ja po funksionon sipas rregullave, vendimet do të merren përmes organeve të partisë
Sekretari për mërgatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Haliti, ka deklaruar se takimet e fundit brenda partisë janë pjesë e angazhimeve të zakonshme të strukturave dhe jo mbledhje të jashtëzakonshme. Pas përfundimit të takimit në selinë e LDK-së, Haliti ka thënë se partia po vazhdon punën në bazë të statutit dhe procedurave të saj…
Lajme
Sekretari për mërgatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Haliti, ka deklaruar se takimet e fundit brenda partisë janë pjesë e angazhimeve të zakonshme të strukturave dhe jo mbledhje të jashtëzakonshme.
Pas përfundimit të takimit në selinë e LDK-së, Haliti ka thënë se partia po vazhdon punën në bazë të statutit dhe procedurave të saj të brendshme, ndërsa secili funksionar ka përgjegjësitë e veta, raporton lajmi.net
“Janë takime pune, rutinore që i mbajmë si subjekt serioz, një organizatë me këtë përgjegjësi që e kemi. Janë takime pune, natyrisht. Partitë funksionojnë, që bëjnë e organizohen, natyrisht. Ne i kemi detyrat tona, secili anëtar i kryesisë, sekretarët e organizatës, sekretari me degët jashtë, sekretari brenda, ai tjetri, ky tjetri, kryetarët e degëve, secili e ka punën e vet”, deklaroi Haliti.
Ai është pyetur edhe për mundësinë e përshpejtimit të proceseve të brendshme në LDK, duke pasur parasysh zhvillimet politike në vend dhe nevojën për formimin e institucioneve. Haliti ka theksuar se partia do të veprojë duke respektuar afatet dhe rregullat statutare.
“LDK i respekton afatet, procedurat, rregullat, statutin, natyrisht. Interesi shtetëror është formimi i institucioneve shtetërore, edhe kapërcimi i këtij ngërçi. Por, thashë, aspektet e tjera partiake e kanë fushëveprimin e vet. Është demokraci, prandaj respektohen rregullat e statuti, prandaj afatet, mënyra, kushtet, krejt”, u shpreh ai.
Duke folur për raportimet rreth një organizimi në mbështetje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haliti tha se nuk ka njohuri për një iniciativë të tillë. Ai shtoi se Abdixhiku vazhdon ta ketë mandatin e kryetarit deri në një vendim tjetër të organeve të partisë.
“Jo, nuk kam ndonjë informacion për atë. Kryetari është kryetar legjitim, legal. Derisa të bëhet ndonjë vendim tjetër, është kryetar legal, legjitim edhe aty. Edhe kuvendi ka procedura gjithashtu, ka procedura dhe rregulla, prandaj kryetari i LDK-së është zgjedhë. Ju lutem, Kuvendin e kaluam me votë të fshehur, një Kuvend shumë demokratik, ndoshta shembull edhe për partitë e tjera, jo vetëm në Kosovë. Prandaj LDK-ja ka me punu statutarisht, ka me punu me demokraci në veprim, me rregulla, gjithsesi me vendime, nëpër organe që kalojnë, prandaj takimet me degë, takimet me kryesi po bëhen, janë konsultime”, deklaroi ai.
Sa i përket një Kuvendi të Jashtëzakonshëm të LDK-së, Haliti nuk ka dhënë një datë të saktë, por ka bërë të ditur se njoftimet do të bëhen në kohën e duhur.
“Sigurisht do të informoheni me kohë, por në afat”, tha ai.
Në lidhje me raportimet për një marrëveshje parimore mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e institucioneve, Haliti ka deklaruar se kryetari i partisë do t’i raportojë strukturave drejtuese pas takimeve të zhvilluara.
“Sigurisht kryetari ju ka dhënë sugjerime, pasi që ka qenë takimi. Me siguri do t’i raportojë kryesisë, do ta informojë kryesinë për këto takime, këto zhvillime. Tash ka edhe zhvillime të tjera, të cilat do të procedojnë më relaks, natyrisht, me demokraci në veprim”, shtoi Haliti./Lajmi.net/