Haliti: Duke pas ushtrinë e Vuçiqit në kufi nuk është e shëndetshme as për vendin dhe për asnjë njeri në Kosovë që të jemi pa institucione

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si të dëmshme për funksionimin demokratik dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Haliti ka theksuar se në çdo vend tjetër ky do të ishte një proces normal, por në Kosovë është shndërruar në një problem…

Lajme

26/06/2025 19:53

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si të dëmshme për funksionimin demokratik dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Haliti ka theksuar se në çdo vend tjetër ky do të ishte një proces normal, por në Kosovë është shndërruar në një problem serioz.

“Si proces në kushte të tjera, do të konsiderohej proces normal. Por, në Kosovë të zgjatë kaq shumë konsitutimi i organit më të lartë të shtetit, mendoj që është gabim. Duhet të përshpejtohej, do të duhej gjendej formula për ta funksionalizuar Kuvendin. Sepse pa Kuvend nuk të krijohet as Qeveria dhe pa Kuvendin e Qeverinë janë disa projekte ose shumë që vijnë, qotfë donacione nga vendet e BE-së dhe SHAB-të, qoftë nga kreditë e buta që i shërbejnë zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk mund të miratohen në Kuvend dhe mbesin të bllokuara”, ka thënë Haliti.

Përveç aspektit ekonomik dhe institucional, Haliti ka shprehur shqetësim edhe për situatën në veri të vendit.

“Situata në Kosovë veçanërisht në veri nuk është e mirë, dhe duke pas ushtrinë e Vuçiqit në kufi nuk është e shëndetshme as për vendin dhe për asnjë njeri në Kosovë që të jemi pa institucione”, ka theksuar ish-deputeti në TV Dukagjini.

Haliti kritikoi të gjithë spektrin politik, duke përfshirë 120 deputetët aktualë, për mosfunksionalizimin e Kuvendit.

Sipas tij, aktualisht ekziston një betejë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive që deri tani kanë qenë në opozitë, por që nuk kanë një projekt unik për ta rrëzuar Albin Kurtin dhe për të sjellë në krye të Qeverisë dikë tjetër.

“Tani në Parlament janë 120 deputetë dhe të gjithë janë përgjegjës për mosfunksionalizimin e Kuvendit. Fatkeqësisht në Kosovë, deputetët janë ose edhe kanë qenë mekanizma të cilët votojnë sipas qëndrimeve të partive përkatës ose janë të shndërruar në makineri votimi. Kur ka votime të rëndësishme shkojnë ndërsa kur nuk ka nuk shkojnë në sallë. Por, në këtë rast është një betejë në mes të VV-së dhe partive që kanë qenë në opozitë deri tani. Kanë kërkesa partitë që kanë qenë në opozita, por nuk janë unike në projektin e tyre të përbashkët për ta rrëzuar në këtë rast, jo të Albulenës por të Albin Kurtit. Dhe për ta bërë kryeministër dikë që e meriton dhe që i takon. Normalisht që i takon partisë së dytë.

Topi është tek VV-ja dhe Albini do të duhej me qenë më fleksibil me partitë tjera. Mos me u marrë me ftesa në formë urdhërore, por duhet të komunikojë… duhet të gjejë një mënyrë të komunikim dhe që e nxjerr Kosovën prej këtij ngërçi. Albini duhet të trokasë në dyert e të gjitha partive politike”, ka shtuar Haliti.