Hajredin Kuçi mirëpret ndihmën e Komisionit të Venedikut

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot një delegacion të Komisionit të Venedikut. Ai e vlerësoi të rëndësishme ekspertizën që ky Komision do ta japë për Projekt Ligjin për liritë fetare në Kosovë.

Lajme

05/02/2014 18:27

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka pritur një delegacion të Komisionit të Venedikut, të kryesuar nga  Thomas Markert, Sekretar të këtij komisioni.

Ministri Kuçi ka njoftuar delegacionin e Komisionit të Venedikut me punën që kanë bërë dhe po bëjnë institucionet e Kosovës në krijimin e infrastrukturës ligjore. Ai tha se institucionet e Kosovës gjatë hartimit të infrastrukturës ligjore kanë bashkëpunuar ngusht me ekspertë dhe institucione ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë me qëllim që të gjitha ligjet të jenë nė përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në veçanti u diskutua për Draft-ligjin për plotësim- ndryshimin e Ligjit për liri fetare në Kosovë, për të cilin Komisioni  i Venedikut pritet të japë një opinion në mars të këtij viti.

Lidhur me këtë, Ministri Kuçi tha se është duke u punuar që ky Ligj të jetë modern dhe që me anë të tij të sigurohet respektimi i lirive fetare dhe të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë.

Duke e vlerësuar gatishmërinë e Komisionit të Venedikut që përmes e Zyrës së BE’sė në Kosovë, të ofrojë mbështetje për institucionet e Kosovës në konsolidimin dhe harmonizimin e infrastrukturës ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare, Ministri Kuçi premtoi bashkëpunim të plotë dhe tha se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për Kosovën.