Hajdar Beqa për përplasjen me deputetin e VV-së: Mendova se është punëtor i sigurimit

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas tensionimit të situatës mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Lajme

06/05/2021 14:43

Reagimet kanë nisur nga deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, që të sqarohet rreth deklaratave të saj për ish-krerët e UÇK-së dhe deklarimet se do të ofrojë dëshmi në Gjykatën Speciale.

Të përfshirë në situatën e tensionimit ishte edhe deputeti i PDK-së Hajdar Beqa dhe ai LVV-së, Besim Muzaqi.

Deputeti i PDK-së, Beqa dëgjohet duke i thënë deputetit të VV-së, Besim Muzaqi “kryt ta hjeki”.

Lajmi.net ka kontaktuar me Beqën, i cili ka thënë se ministrat dhe deputetët e Vetëvendosjes kanë fyer dhe janë munduar t’i sulmojnë deputetët e PDK-së.

“Realisht ka filluar fillimisht me Ministren e Jashtme, Donika Schwarz, e cila jo vetëm që ka bërë fyerje ndaj Partisë Demokratike, por ka bërë fyerje ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës çlirimtare, martirëve, dëshmorëve, heronjve dhe viktimave të luftës. Ne si grup parlamentar morëm vendim për ta lëshuar seancën deri në kërkim falje nga ministrja Schwarz për deklaratat që i ka dhënë që nga viti 2015 ku kronologjikisht ka thënë se mezi po pres të formohet Gjykata Speciale për ta pajisur me dëshmi kundër të ashtuquajturës ‘organizatë terroriste e UÇK-së’ siç e quante ajo”, ka thënë Beqa.

Tutje ai ka thënë se deklarata të tilla të Ministres së Jashtme nuk mund të pranohen nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne nuk mund ta lejojmë në shekullin 21, që një përfaqësues i Republikës së Kosovës të bëjë deklarata të tilla dhe t’iu qëndrojë mbrapa edhe nëse i ka bërë kur ka qenë person privat apo publik. Si shenjë pakënaqësie e lëshuam sallën kur gjatë rrugës ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje filluan me fyerje dhe me tentim-sulmi ndaj deputetëve të PDK-së, një gjë e tillë më ndodhi edhe mu nga deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, që fillimisht mendova se është punëtor i sigurimit të Kuvendit, pastaj e kuptova se është deputet. Unë në jetën time nuk e sulmoj askënd fizikisht, por as nuk e lejoj që të më sulmoj dikush fizikisht”, ka thënë Beqa për lajmi.net.

Pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit, Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se ofendimet dhe kërcënimet kanë ardhur nga deputetët e PDK-së, por një gjë të tillë e ka mohuar Hajdar Beqa.

“Atë që e kemi thënë e kemi thënë në foltore apo në bankën e deputetit, ato kanë qenë deklarime tona dhe nëse ata i kanë marrë si ofendime kërkesën tonë për sqarim nga ministrja Schwarz për deklaratat që i ka dhënë dhe imazhin e keq që po ja krijon Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar atëherë është problem i zonjës Kusari. Çfarë kemi thënë ne e kemi thënë në seancë publike dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar dhe ja kemi bërë me dije ministres në fjalë që e ka për detyrë të ngritë imazhin e Kosovës dhe jo ta fyej Republikën e Kosovës në OKB. Nëse vazhdon të veprojë kështu atëherë nuk e di pse ka nevojë Serbia për Ministër të Jashtëm kur të gjitha punët po ja kryen Donika”, ka përfunduar Beqa.

Kujtojmë, se këto reagime nga PDK kanë ardhur si pasojë e deklaratave të mëhershme të Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë kohës kur nuk ka qenë në pozita zyrtare, por që ishte shprehur publikisht pro Gjykatës Speciale duke deklaruar se ka dërguar dëshmi të shkruara në disa organe të ndryshme, përfshirë edhe Specialen. /lajmi.net/

Lexo edhe:

Çfarë nuk pamë sot në seancën e Kuvendit, “legen, qenef”, e gati edhe përleshje fizike