Guvernatori Mehmeti takoi kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka takuar sot kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Lajme
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë vizitës në Shkup, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, shkruan lajmi.net.
Guvernatori Mehmeti e ka informuar kryeparlamentarin Xhaferi lidhur me zhvillimet në ekonominë dhe veçanërisht në sistemin financiar të Republikës së Kosovës, duke potencuar stabilitetin makroekonomik dhe rolin e rëndësishëm të sistemit financiar në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë së vendit.
Po ashtu, Guvernatori Mehmeti vlerësoi lart bashkëpunimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shprehi përkushtimin e tij për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, në të gjitha fushat e nevojshme për avancimin e veprimtarisë së bankave qendrore.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut falënderoi Guvernatorin Mehmeti për vizitën dhe e përgëzoi për punën e mirë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në mbështetje të stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së Kosovës. /Lajmi.net/