Guri për VV-në: Po e shikon shpëtimin nga diaspora, shenjë e perëndimit politik
Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar pas vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor. Sipas tij, vendimi ka ardhur me vonesë dhe është rezultat i kalkulimeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat – siç tha – janë bërë në koordinim me presidenten. Në një…
Lajme
Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar pas vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor. Sipas tij, vendimi ka ardhur me vonesë dhe është rezultat i kalkulimeve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat – siç tha – janë bërë në koordinim me presidenten.
Në një intervistë në FIVE të TV Dukagjinit, Guri theksoi se shpërbërja e Kuvendit ishte “lajm i mirë”, por shtoi se vendi humbi edhe 15 ditë të çmuara për shkak të tentativës për të mandatuar Glauk Konjufcën si kryeministër, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, deklaratat e VV-së për “bllokadë” bien ndesh me veprimin e tyre për, siç tha, t’i humbur vendit edhe më shumë kohë. Ai pretendoi se marrëveshja për mandatimin e Konjufcës kishte si synim final vendosjen e datës 28 dhjetor për zgjedhjet e reja.
Megjithatë, Guri theksoi se për LDK-në kjo datë nuk paraqet sfidë, duke kujtuar se partia e tij ka dalë fituese në zgjedhjet e 12 tetorit dhe 9 nëntorit në kohën e kaluar zgjedhore. Ai shprehu bindjen se LDK mbetet e fortë edhe te vota e mërgatës.
Duke kritikuar qëndrimin e VV-së, Guri tha se është “shenja e perëndimit politik” kur një parti humbet besimin te qytetarët brenda vendit dhe shikon nga diaspora për “shpëtim”. Ai nënvizoi se mërgata është e vetëdijshme për situatën ekonomike në Kosovë, pasi familjarët e tyre përballen çdo ditë me kosto të larta, nga faturat e energjisë deri te rritja e çmimeve të konsumit.
Guri paralajmëroi se mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor do të vonojë proceset institucionale, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë së re. Sipas tij, zgjatja e afateve është rezultat i kalkulimeve politike të VV-së, të cilat – siç u shpreh – janë bërë në koordinim me presidenten Osmani./lajmi.net/