Gundogan “injoron” Bayernin
Mesfushori i Borussia Dortmund, Ilkay Gundogan nuk ka negociuar me Bayern Munichun rreth mundësisë së transferimit në Allianz Arena.
Sport
Ilkay Gundogan nuk ka zhvilluar asnjë takim me Bayern Munichun rreth mundësisë së transferimit në Allianz Arena, ka bërë të ditur menaxheri i tij, Ilhan Gundogan.
Mesfushori ka vetëm edhe 12 muaj në kontratën e mbetur në Borussia Dortmund. Por, daja, njëkohësisht menaxheri i tij, Ilhan ka mohuar kontaktet me klubin bavarez.
“Me Bayern Munichun kurrë nuk kemi negociuar e as nuk kemi bërë ndonjë kërkesë financiare. Nuk jemi në pozitë të kërkojmë asgjë nga një klub si Bayern”, deklaroi ai për “Suddeutsche Zeitung”.
“Ne kurrë nuk do të pranonim që të presim një vit e më pas të transferohemi në Bayern. Është e qartë se Dortmund meriton një kompensim, në shenjë të mirënjohjes”, u shpreh ai. Ky është një lajm i mirë për Barcelonën që po ashtu është e interesuar për transferimin e Gundoganit.