Gucati: Nuk do të lëshojmë pe, do të na kenë në rrugë çdo qeveri që nuk rrit pensionet e veteranëve

Pak ditë para nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka rikujtuar për publikun vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale, vendim të cilin ekzekutivi e kishte miratuar më 31 tetor të këtij viti. Sipas këtij vendimi, paga minimale bruto do të rritet nga 350 euro…

Lajme

16/12/2025 14:33

Pak ditë para nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka rikujtuar për publikun vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale, vendim të cilin ekzekutivi e kishte miratuar më 31 tetor të këtij viti.

Sipas këtij vendimi, paga minimale bruto do të rritet nga 350 euro aktuale në 425 euro, duke hyrë në fuqi nga 1 janari 2026, ndërsa faza e dytë e reformës parashikon që paga minimale të shkojë në 500 euro bruto nga 1 korriku 2026.

 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar për FrontOnline se vendimi i Qeverisë në detyrë për rritjen e pagës minimale nuk ka vlerë dhe nuk mund të zbatohet, pasi është marrë nga një ekzekutiv pa mandat të plotë.

“Ky vendim është marrë nga qeveria në detyrë dhe si i tillë nuk ka vlerë. Një qeveri në detyrë nuk mund ta rrisë pagën minimale. Tani jemi në fushatë dhe kjo po bëhet për fushatë’’, ka thënë Gucati për FrontOnline.

Ai ka kritikuar ashpër qeverinë për, siç ka thënë, mungesën e vullnetit për rritjen e pensioneve të veteranëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si një turp institucional.

“Me keqardhje po e them, është turp i madh i kësaj qeverie, apo i këtij njeriu në detyrë, që nuk e rrit pensionin e veteranëve të UÇK-së në nivel të pagës minimale’’, ka deklaruar ai.

Gucati ka rikujtuar edhe përjashtimin e veteranëve nga sistemi, duke përmendur komunikimet Mimoza Kusari-Lilës me Listën Serbe.

 

“Neve na kanë hequr nga sistemi me Listën Serbe, ku kanë diskutuar Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiqin dhe Slavko Simiqin, por unë, në emër të veteranëve, them se është turpi më i madh i çdo qeverie që vjen dhe nuk e rrit pensionin e veteranëve të UÇK-së’’, ka thënë  Gucati.

Në fund, ai ka paralajmëruar se veteranët do të vazhdojnë reagimet e tyre nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Ne nuk do të lëshojmë pe. Do të na kenë në rrugë secila qeveri që vjen, nëse nuk rriten pensionet e veteranëve’’, ka përfunduar Gucati.