Gucati: Më kërcënoi, por familjen e tij e fal, drejtësinë e lashë të vendosë
Hysni Gucati ka thënë se e ka falur familjen e personit që e kishte kërcënuar, ndërsa ka theksuar se çështjen ia ka lënë drejtësisë dhe se e respekton vendimin e gjykatës. Në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Gucati ka treguar se familjarët e personit të dënuar i kanë kërkuar falje…
Lajme
Hysni Gucati ka thënë se e ka falur familjen e personit që e kishte kërcënuar, ndërsa ka theksuar se çështjen ia ka lënë drejtësisë dhe se e respekton vendimin e gjykatës.
Në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Gucati ka treguar se familjarët e personit të dënuar i kanë kërkuar falje dhe, sipas tij, janë distancuar nga veprimi i tij.
Unë e kam falur familjen e tij dhe djemtë e tij. Ata janë sjellë aq mirë me mua sa nuk kam besuar që do të silleshin kështu. Personi e ka marrë dënimin e merituar dhe unë ia kam lënë drejtësisë dhe gjykatës”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka thënë se edhe para vendimit gjyqësor kishte deklaruar se do ta pranonte çdo vendim të drejtësisë.
Me personin nuk kam asgjë. Ai është i dënuar me katër muaj dhe unë nuk kam asgjë me të”, është shprehur Gucati.
Duke folur për rastin, Gucati ka thënë se kërcënimi ndaj tij kishte ardhur pas disa komenteve dhe fyerjeve në rrjetet sociale, duke pretenduar se personi në fjalë e kishte kërcënuar edhe me vrasje.
Më ka humbur durimi duke parë fyerjet që m’i ka bërë. Ky person më ka shkruar disa herë në Facebook dhe në ato momente e kam lajmëruar rastin në polici”, ka thënë ai.
Gucati ka treguar se familjarët e të dënuarit kanë qenë të pranishëm në seancat gjyqësore dhe i kanë kërkuar falje për veprimin e tij.
Ai ka shtuar se i vjen keq për familjen e personit të dënuar, duke thënë se ata janë ndjerë keq pas veprimit të tij.