Gucati: EULEX po mban peng njerëzit që sollën lirinë

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik para zyrave të EULEX-it, në pesë-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së. Në një shirit që mbajtën përreth objektit, ata kishin shkruar: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se pesë vjet…

Lajme

05/11/2025 13:57

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik para zyrave të EULEX-it, në pesë-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Në një shirit që mbajtën përreth objektit, ata kishin shkruar: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se pesë vjet pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, drejtësia ende mungon.

“Pikërisht më 5 nëntor të vitit 2020 u burgosën padrejtësisht njerëzit të cilët sollën lirinë, paqen dhe pavarësinë e këtij vendi. Sot bëhen pesë vite pafajësi, pesë vite padrejtësi, pesë vite larg familjes, pesë vite që shumë të dashur të tyre kanë ndërruar jetë e ata nuk ishin aty as për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Pesë vite që burrat e lirisë po mbahen të mbyllur për një luftë që solli lirinë, paqen dhe shtetin tonë. Kemi dalë t’u dërgojmë mesazh UNMIK-ut, EULEX-it dhe ndërkombëtarëve se jeni duke mbajtur peng njerëzit, i keni kidnapuar ata njerëz që sollën lirinë, pavarësinë, paqen dhe demokracinë në vend. Ata njerëz që mendojnë me trupin Kosovë e kokën në Serbi e kanë gabim. Ky vend është i shqiptarëve dhe i të gjithëve që e duan. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, për vendin dhe kombin e vet. EULEX dhe njerëzit e EULEX-it tentojnë që luftën çlirimtare të UÇK-së ta barazojnë me hordhitë serbe çetnike paramilitare. Ne nuk jemi njerëz që kemi bërë krime, ne kemi bërë paqe”, tha Gucati.