Guardian: Shpend Ahmeti, kryetari më trim i Evropës

Kur bie zilja e telefonit në zyrën e kryetarit të Komunës së Prishtinës, kjo zakonisht do të thotë se doli një krizë e re, apo se një e vjetër u përkeqësua. Dhe, telefoni cingëron tërë kohën, shkruan Julian Borger për ditoren britanike The Guardian.

Lajme

21/05/2014 22:03

Shpend Ahmeti është në këtë post për më pak se pesë muaj dhe ka kaluar shumicën e asaj kohe me telefonin e tij celular të varur për veshi, duke luftuar me zjarrin – kryesisht figurativ, por herë pas here literal”, shkruan Borger.

Ekonomisti trupmadh i shkolluar në Harvard është duke u përpjekur që të sjellë qeverisje të pastër e racionale në qytetin më të korruptuar të shtetit më të korruptuar në Evropë, duke u bërë kështu kryetari më trim në kontinent.

“Njëra nga veprat e tij të para në detyrën si kryetar ishte vënia në ankand e veturës zyrtare luksoze Audi Q7, të paraardhësit të tij. Ai tani shfrytëzon autobusin për të shkuar në punë çdo mëngjes dhe përdor një Compact Hyundai të Komunës për takimet që ka gjatë ditës.

Shpesh ai ecën vetëm nëpër rrugët e qytetit, duke u ndalur nga individë që e lavdërojnë, fajësojnë ose shkruajnë peticione.

Dorëzimi i veturës prej 25,000 eurove nga Ahmeti ka gjeneruar inat. Një tjetër kryetar i qytetit ka ndjekur shembullin e tij, por që e ka rritur vetëm nervozen e zyrtarëve tjerë, të cilët ende shijojnë vozitjet me vetura të shtrenjta.

 (The Guardian)