Grupi parlamentar i LDK-së mblidhet para seancës | Gashi: Detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është mbledhur sot në një takim të Grupit Parlamentar, para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë, e cila është përpjekja e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, deputetët do të shqyrtojnë vetëm një pikë në rendin e ditës: zgjedhjen e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët…

Lajme

10/10/2025 09:48

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është mbledhur sot në një takim të Grupit Parlamentar, para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë, e cila është përpjekja e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, deputetët do të shqyrtojnë vetëm një pikë në rendin e ditës: zgjedhjen e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, deklaroi para gazetarëve se bllokimi i këtij procesi nuk është çështje kushtetuese, por politike, transmeton lajmi.net.

“Bllokimi nuk është kushtetues, bllokimi është politik. Mungesa e konsensusit, mungesa e vullnetit për konsensus dhe mungesa e fuqisë politike për të formuar institucionet. Krejt këto tjerat janë lojëra dhe taktizime kushtetuese, nuk është aspak bllokadë kushtetuese”, u shpreh Gashi.

Ai theksoi se zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb është një detyrim kushtetues që duhet të përmbushet.

“Ajo është detyrim kushtetues, por tash po shkojmë në mbledhje të Grupit Parlamentar për të marrë një vendim final. Unë mendoj se detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”, shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 8 tetor, ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, në të cilin theksohet se Kuvendi nuk është konstituuar ende në mënyrë të plotë. Në këtë aktgjykim, Gjykata u ka dhënë deputetëve një afat prej 12 ditësh për përfundimin e procesit të konstituimit. Ky afat ka filluar të rrjedhë nga data e publikimit të vendimit – 8 tetor./lajmi.net/