Grupi i LDK-së pretendon se Ahmeti ka shkelur ligjin për furnizim me naftë

Grupit Parlamentar i LDK-së në Komunën e Prishtinës ka publikuar kontratën për furnizim me naftë nëpër shkolla. Ky grup pretendon se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë keqpërdorimin e pozitës zyrtare duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin si dhe duke e dëmtuar buxhetin komunal.

Lajme

11/02/2015 12:51

“Komuna e ka ndërprerë njëanshëm kontratën kornizë për furnizimin e shkollave me naftë në pjesën e parë të vitit 2014, të cilën e ka pohuar, madje me pompozitet, vetë kryetari Shpend Ahmeti. Në ndërkohë, deri më tash Komuna asnjëherë nuk ka lidhur kontratë për furnizim të shkollave me naftë për ngrohje; Me më së paku 500,000 (pesëqind mijë litra) naftë janë furnizuar deri tash shkollat e Prishtinës, pa pasur të kontraktuar asnjë litër të vetme”, thuhet në njoftimin e grupit të LDK-së.

Grupi i LDK-së, i akuzuar javën e kaluar nga kryetari i Komunës për nepotizëm familjar në ndërmarrjet publike komunale, shtron pyetjen se “Si e pagoi Shpend Ahmeti naftën e porositur pa kontratë”?

“Ne e kemi në dorë kopjen e kontratës me të cilën kryetari Shpend Ahmeti ka mashtruar Thesarin dhe Ministrinë e Financave duke e keqpërdorur një kontratë tjetër për furnizimin e Komunës me naftë për gjenerator dhe për ngrohje (të objektit të Komunës) dhe duke e përdorur të njëjtën për furnizim të shkollave”, thueht në njoftimin e Grupit tw LDK-sw.

“Dihet se çdo kontratë e ka objektin e vet dhe se ajo nuk mund të përdoret për një aktivitet tjetër të prokurimit. Dihet po ashtu se sasia e përafërt e shpenzimit të naftës për nevoja të Komunës është rreth 30,000 litra. Kryetari Shpend Ahmeti ka lejuar që me dy kontrata të ndryshme, njëra e kompanisë ‘Oti Group’ dhe tjetra e ‘Petroll Company’, të bëhet furnizimi i shkollave me të paktën 500,000 litra naftë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.