“Grupi i Drenicës” ndahet në dysh

Brenda muajit që vjen do të bëhen 365 ditë prejse Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe të tjerët në Grupin e Drenicës janë në paraburgim. Por, gjykimi kryesor ndaj tyre ende nuk është caktuar.

Lajme

21/04/2014 22:52

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka miratuar kërkesën e kryetarit të trupit gjykues që të vazhdojë shqyrtimi kryesor, duke refuzuar kështu kërkesën e mbrojtjes që aktakuza të hidhet poshtë.

 

E gjyqtari, Dariusz Sielicki ka vendosur të ndajë në dysh grupin prej 15 të akuzuarve.

 

Kështu, në njërin grup do të gjykohen ambasadori Sylejman Selimi, vëllezërit Demaku, ata Demaj dhe Isni Thaçi. Kurse, në grupin tjetër janë Sami Lushtaku, Sabit Jashari, Ismet Haxha dhe Sabit Geci, raporton KTV.

Kjo është thënë se është bërë vetëm për hir të efikasitetit të procedurës, meqë këtë e lejon Kodi i Procedurës Penale. Avokatët mbrojtës, ndërkaq, nuk kanë dashur të komentojnë shumë diskutimet e fundit se rasti i Grupit të Drenicës nuk po nis të gjykohet, sepse një gjë e tillë mund të ndodhë në Gjykatën Speciale që pritet të krijohet.

Rasti tani po ndiqet nga prokurori, Cezary Michalczuk, megjithëse aktakuza ishte ngritur nga italiani Maurizo Salustro. Pjesëtarët e Grupit të Drenicës, përfshirë një ambasador, dy kryetarë komunash, një deputet dhe një komandant policie dyshohen për krime lufte, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, transmeton Koha.net.

Me pikën më të rëndë të aktakuzës ballafaqohen Sami Lushtaku e Sabit Geci, që të dy akuzohen për vrasje.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, akuzohet ‘për vrasjen e një civili shqiptar, i burgosur duke e qëlluar atë me pistoletë TT në kokë’.

Në aktakuzë thuhet se vrasja ka ndodhur në një vend të panjohur ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në shtator të vitit 1998.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, akuzohet se ka vrarë të burgosurin serb Ivan Bulatovic.