‘Grupi i Drenicës’ edhe një muaj paraburgim

Maurizio Salustro, Prokuror i EULEX’it, ka kërkuar edhe një muaj paraburgim për ‘Grupin e Drenicës’. Këtë vazhdim e ka vendosur Gjykata Themelore në Mitrovicë. Avokati Tomë Gashi e quan këtë vendim të paligjshëm.

Lajme

23/10/2013 15:47

Në tridhjetë ditëshin shtesë të paraburgimit do të jenë ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimi, ish Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, Komandanti i Brigadës 111 Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli, dhe Hysni Thaçi.

Tomë Gashi, avokat i i Sylejman Selimit, në një prononcim për lajmi.net, e ka quajtur këtë vendim të paligjshëm.

“Me një vendim jo të drejtë, të paligjshëm dhe nën ndikimin direkt të Prokurorisë së EULEX’it, sot përsëri Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vazhduar paraburgimin edhe për 1 muaj, deri më 23 nëntor 2013 për ish komandantin e SH.P. të UÇK’së, Gjeneral Sylejman Selimin dhe 6 bashkëluftëtarëve të tij”.

“Gjykata me këtë vendim ka vlerësuar se kinse ende ekziston rreziku i ikjes së z. Sylejman Selimit dhe të tjerëve dhe se kinse ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitar”.

“Më duhet të përsëris se një vendim i këtillë është skandaloz, i paligjshëm, i padrejtë dhe në një masë të madhe fyes”

Gashi ka thënë se do të shfrytëzojnë çdo mundësi juridike qe kjo padrejtësi ndaj luftëtarëve të UÇK-së të ndërpritet.