”Grupi i Drenicës” deklarohen të pafajshëm

Përfundon seanca e parë në rastin e “Grupit Drenica”. 15 ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm. Seanca e radhës do të zhvillohet pas një muaji.

Lajme

06/12/2013 10:37

(E Plotësuar, 13:30)

Ka përfunduar seanca e parë fillestare ndaj “Grupit të Drenicës” të cilët akuzohen për krime lufte.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarë të EULEX`it.

Arianit Koci avokat i Sami Lushtakut ka kërkuar nga trupi gjykues që klientit të tij t`i jepet mundësia për të bërë betimin për kryetar të Komunës së Skënderajt. Ndërsa kryetari i trupit gjykues Dariusz Sielicki ka thënë se për këtë kërkesë vendimi do të merret ditëve të ardhshme.

Seanca e radhës do të zhvillohet muajin e ardhshëm, pas paraqitjes së provave nga pala mbrojtëse.

Ka nisur seanca dëgjimore ndaj “Grupit të Drenicës”.

Para Kinemasë ABC1 ku është duke u mbajtur kjo seancë janë mbledhur mbështetës të ish bashkëluftëtarëve të akuzuar për krime lufte.

EULEX-i është duke hetuar Sylejman Selimin, dhe Sami Lushtakun kryetarin e Skenderajt si dhe pesë të dyshuar tjerë, të njohur si Grupi i Drenicës, për krime lufte ndaj civilëve, të mbajtur në një qendër paraburgimi të UÇK’së në komunën e Skenderajt, ndërsa tash për të njëjtin rast po ngarkohen edhe tetë persona tjerë. Sipas prokurorisë, të burgosurit civilë ishin abuzuar në këtë qendër, në qershor të vitit 1998.

Sipas Tomë Gashit, avokat i Sylejman Selimit, seanca e sotme do të jetë përgatitje për një gjykim pasues nga i cili ai është i bindur se klienti i tij, por edhe të akuzuarit tjerë”do të lirohen nga këto akuza të pabaza, të paargumentuara dhe të ngritura me inskenime vetëm për te diskredituar në pjesë të elitës të komandantëve dhe ushtarëve të UÇK’së”.