Gruevskit as që i shkon mendja të japë dorëheqje

Kryeministri i Maqedonisë as që dëshiron të bisedojë për kërkesat e opozitës që kanë të bëjnë me dorëheqjen e tij dhe formimin e një qeverie kalimtare.

Lajme

12/03/2015 19:28

Sipas Gruevskit, për një gjë të tillë vendos populli dhe jo Zaev. Ai tha se është i gatshëm për dialog me opozitën, por jo për çështjen e dorëheqjes së qeverisë.

Sipas tij, për funksionin që ai e kryen mund të vendosin vetëm qytetarët.

“Kërkesa e tyre kryesore ishte të formohet e ashtuquajtura qeveri kalimtare. Diçka si koalicion i gjerë, nëse mund të kuptoj mirë, dhe dorëheqje e qeverisë, nga unë, nga ministrat etj. Për atë se kush do të jetë në qeveri e kush jo, vendosin qytetarët e Maqedonisë në zgjedhje. Ata janë që vlerësojnë, japin votën, besimin se cila parti politike dhe kush do të jetë kryeministër, e jo Zoran Zaev”, tha ai.

Duke i komentuar akuzat e opozitës për vjedhjet e zgjedhjeve, Gruevski përsëriti qëndrimin e tij se materialet e opozitës janë të “krijuara”, por edhe se tezat e Zaevit nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin.

I pyetur nëse mund të pritet dialog politik me nismë të tij, kryeministri la hapësirë për marrëveshje vetëm për çështjet që nuk përfshijnë dorëheqjen e Qeverisë.

“Ne çdo herë jemi të gatshëm për dialog politik, mbi baza parimore për diçka që është parimore që të bisedohet. Nuk mund të bisedohet, për shembull, kush e ka besimin e qytetarëve, sepse këtë e thonë vetë qytetarët. Por, mund të bisedohet për shumë çështje tjera që mund të zgjidhen, të tejkalohen etj”, tha ai.

Reagimet e Gruevskit vijnë vetëm dy ditë pasi lideri i LSDM-së, Zaev, publikoi një varg regjistrimesh ku drejtpërdrejt akuzoi pushtetin për kërcënime, presione, madje edhe falsifikim të vullnetit të votuesve në zgjedhje.