Gruda: Tirana nesër është zëri i të gjithë shqiptarëve

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka bërë thirrje që nesër, 17 tetor, në Tiranë të ngrihet zëri i së vërtetesës, në protestën mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Përmes një postimi në Facebook, Gruda tha se Tirana nesër është zëri i të gjithë shqiptarëve. “Nesër, në Tiranë, duhet të…

Lajme

16/10/2025 16:16

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka bërë thirrje që nesër, 17 tetor, në Tiranë të ngrihet zëri i së vërtetesës, në protestën mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda tha se Tirana nesër është zëri i të gjithë shqiptarëve.

“Nesër, në Tiranë, duhet të jemi të gjithë bashkë, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, diaspora dhe vetë Shqipëria. Le të ngremë zërin bashkë për të vërtetën, për dinjitetin kombëtar dhe për drejtësinë ndaj luftës çlirimtare”, ka shkruar ai.

Mes tjerash, deputeti shpjegon se mbi çfarë baze u ngrit Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale në Hagë është ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martyt, i miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në atë raport, përveç Kosovës, përfshihej edhe territori i Shqipërisë, me pretendimin se në zonat e saj ishte kryer trafikim organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuza që lidheshin me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë””.

“Sot, ndërsa procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundit, është bërë plotësisht e qartë se këto pretendime nuk kanë qenë të vërteta. Në aktakuzën zyrtare të Prokurorisë Speciale nuk ekziston asnjë pretendim për “Shtëpinë e Verdhë”, as për trafikim organesh, dhe asnjë provë nuk ka vërtetuar ndonjë prej akuzave të ngritura në raportin e Martyt. Kjo do të thotë se vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar Gjykata Speciale ka qenë i gabuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të rreme. Një raport pa fakte ka shërbyer për të ngritur një gjykatë që për vite me radhë po mban nën akuzë drejtuesit e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, shkroi ai tutje.

Gruda, po ashtu thotë se sot Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, sipas tij, ka detyrimin moral dhe politik të kërkojë heqjen e kësaj njolle të padrejtë që rëndon mbi emrin e saj dhe mbi luftën e drejtë të UÇK-së.