Gruda akuzon VV-në: Po mban peng themelimin e institucioneve të reja
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po mban peng themelimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës ku pritet të vazhdojë për herë të 18-të seanca konstituive për legjislaturën e nëntë, tha se edhe në seancën e…

Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po mban peng themelimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës ku pritet të vazhdojë për herë të 18-të seanca konstituive për legjislaturën e nëntë, tha se edhe në seancën e sotme skenari pritet të jetë i njëjtë.
Gruda ritheksoi pozicionin e PDK-së se nuk do të marrin pjesë në votim për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen me votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.
“Partia që nuk ka arritur të fitojë shumicën absolute pretendon se ka fituar shumicën dhe i ka marrë peng institucionet e Kosovës. Kryeministri dhe ministrat janë në qeveri në mënyrë të kundërligjshme dhe tash duan në mënyrë të kundërligjshme dhe kundër-kushtuese me mbajt peng edhe Kuvendin. Kjo situatë është absurde, pasi partia që ka dalë e para në zgjedhje ka vendosur që të jap prioritet një emri të përveçshëm – Albulena Haxhiut, karshi institucioneve dhe interesave të Kosovës”, tha ai.
Ai sqaroi edhe, sipas tij, konceptet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas deputetit të PDK-së “me qenë e përcaktuar në Kushtetutë se kryetar i Kuvendit i takon me automatizëm partisë fituese të zgjedhjeve atëherë aty do të shkruhej emërohet kryeparlamentari e jo zgjidhet”.
Andaj, sipas tij, duhet marrë edhe votat e të tjerëve në Kuvend.
“Në Kushtetutë ky koncept është i qartë, thuhet kryetari i Kuvendit zgjidhet, nuk thuhet emërohet sikurse ministrat. Kemi të bëjmë me konceptin e emërimit dhe zgjedhjes. Me qenë e përcaktuar se kryetari i Kuvendit me automatizëm është i partisë fituese në Kushtetutë do të shkruante sikurse ministrat emërohet kryetari i Kuvendit. Mirëpo thuhet zgjidhet, për sa kohë thuhet zgjidhet duhet me i marrë edhe votat e të tjerëve. Ne nuk votojmë nën diktat”, theksoi ai.