Gruaja vdiq pasi ra nga kati i 9-të i ndërtesës në Fushë Kosovë – Prokuroria jep detaje për rastin

Një grua ka humbur jetën mbrëmë, pasi ka rënë nga kati i 9-të i ndërtesës në Fushë Kosovë. Rastin mbrëmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa sot përmes raportit 24 orësh kanë dhënë detaje shtesë. Sipas informacioneve rasti tashmë po hetohet si “hetim i vdekjes”. “Fushë Kosovë 06.05.2025 – 16:20. Viktima femër kosovare,…

Lajme

07/05/2025 13:40

Një grua ka humbur jetën mbrëmë, pasi ka rënë nga kati i 9-të i ndërtesës në Fushë Kosovë.

Rastin mbrëmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa sot përmes raportit 24 orësh kanë dhënë detaje shtesë.

Sipas informacioneve rasti tashmë po hetohet si “hetim i vdekjes”.

“Fushë Kosovë 06.05.2025 – 16:20. Viktima femër kosovare, në rrethana të panjohura ka rënë nga ballkoni i katit të 9-të të ndërtesës dhe për pasojë ka humbur jetën. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh.

Kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për lajmi.net se rasti po hetohet nga Prokurori i Shtetit.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se për rastin e fundit gjatë së cilës një (1) grua ka humbur jetën si pasojë e rënies nga kati i banesës, andaj Prokurori i shtetit  ka urdhëruar që trupi  i pa jetë të dërgohet në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori i shtetit dhe njësitet përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë”, ka thënë PTH për lajmi.net.

Ende nuk dihet nëse ky rast ka ndodhur aksidentalisht – apo çfarë ka ndodhur saktësisht./Lajmi.net/