Gruaja 78-vjeçare fiton të drejtën për pension të dyfishtë, burri u vra në luftë
Një grua e cili e humbi burrin e saj në luftë, pas gati dy vitesh ka fituar rastin për pensione të dyfishta. Bëhet fjalë për një 78-vjeçare nga Drenasi e cila e kishte paditur Ministrinë e Financave në vitin 2024, tetë vjet pasi mbeti pa pension të pleqërisë. Ajo gjatë këtij muaji ka fituar rastin…
Lajme
Një grua e cili e humbi burrin e saj në luftë, pas gati dy vitesh ka fituar rastin për pensione të dyfishta.
Bëhet fjalë për një 78-vjeçare nga Drenasi e cila e kishte paditur Ministrinë e Financave në vitin 2024, tetë vjet pasi mbeti pa pension të pleqërisë. Ajo gjatë këtij muaji ka fituar rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Administrativ.
Aktgjykimi e obligon ministrinë që të ekzekutojë pensionet e dyfishta dhe t’i ekzekutohen të gjitha pensionet që i janë ndaluar nga viti 2016.
Mbrojtësi i paditëses s, Nazmi Sallahu thotë për KosovaPress se kjo grua ka gëzuar të dy pensionet vetëm katër vjet, dhe më pas njëri i është ndërprerë.
“Pensionistja, e cila ka gëzuar pensionin bazë të moshës, ka filluar ta gëzojë këtë pensionin që nga viti 2012. Kurse njëkohësisht ka qenë edhe pensioniste e pensionit të familjeve të viktimave civile të luftës, për shkak se e ka bashkëshortin e vrarë në luftë. Dhe pensionistja i ka gëzuar të dy pensionet paralele deri në datën 15.09.2016. Pastaj Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka ndërprerë me një vendim pensionin bazë të moshës, me arsyetimin se pensionistja e gëzon pensionin e viktimave civile të luftës, duke iu referuar një ligji kontradiktor me ligjin e mëparshëm, i cili, ligji i mëparshëm e ka rregulluar në mënyrë të veçantë këto kategori”, deklaron ai.
Si pasojë, gruas nga Drenasi i ishte dashur të zgjidhte mes dy pensioneve.
“Në momentin kur i është ndalë pensioni bazë i moshës, paditësja, për shkak se zyrtarët e pensioneve gjithherë i kanë rekomanduar që mos të kërkojë të drejtën e dytë që i është mohuar, të drejtën e pensionit bazë, sepse do të ndalet pensioni për familjet e viktimave civile të luftës. Për shkak se ky pension i fundit, i viktimave civile të luftës, është pension më i favorshëm, sepse paditësja ka marrë të holla, dhe e ka zgjedhur si pension më të favorshëm. Dhe zyrtarët e pensioneve gjithmonë i kanë thënë që mos të aplikojë sepse e humb këtë të drejtë të pensionit më të favorshëm”, shton Sallahu për KosovaPress.
Kjo grua e ka filluar betejën e saj përmes rrugës ligjore në prill të vitit 2024, dhe rastin e fitoi gati dy vjetë më vonë.
“Gjykata, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Supreme, referuar ligjit për kategoritë e dala nga lufta, siç është ligji ex specialis, ashtu siç edhe e ka determinuar dhe Gjykata Supreme me një aktgjykim, i ka njohur të drejtën palës për pensionin bazë dhe të drejtën në mënyrë retroaktive që nga dita e ndërprerjes së këtij pensioni bazë. Domethënë që nga data 16.09.2016…Ministria e Financave detyrohet që paditëses t’i kompensojë pensionin bazë të moshës që nga data e ndërprerjes së këtij pensioni, 15.09.2016, në mënyrë retroaktive, të gjitha këto, sipas ngritjes së pensioneve, apo sipas vendimeve të qeverisë që është bërë ngritja e pensioneve ndër vite, e deri në realizimin e të gjitha pagesave të pensionit bazë, dhe në vazhdimësi paditëses t’i njihet e drejta e pensionit bazë derisa të ekzistojnë kushtet ligjore”, përfundon ai.
Ky nuk është rasti i vetëm që përmes institucioneve të drejtësisë kërkohen të drejta. Janë disa raste të veteranëve e viktimave të dhunës seksuale që kanë deponuar padi për njohjen e pensioneve të dyfishta.
Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.