Grevë dyorëshe në RTK, nuk ka lajme për shkak të pagave të papaguara

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) vijojnë grevën për mos-ekzekutimin e pagave, duke ndalur edhe sot transmetimin e lajmeve në orën 11:00 dhe 13:00. Kjo është dita e 25-të që punëtorët nuk marrin pagat e tyre, ndërsa sindikatat paralajmërojnë protesta të mëtejshme deri në zgjidhjen e situatës. Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK)…

Lajme

25/11/2025 13:16

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) vijojnë grevën për mos-ekzekutimin e pagave, duke ndalur edhe sot transmetimin e lajmeve në orën 11:00 dhe 13:00. Kjo është dita e 25-të që punëtorët nuk marrin pagat e tyre, ndërsa sindikatat paralajmërojnë protesta të mëtejshme deri në zgjidhjen e situatës.

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) edhe sot nisën grevën dyorëshe, në ditën e tyre të 25-të pa paga.

Rreth 700 punëtorë të RTK-së detyrohen të pezullojnë procesin e punës si pasojë e mos-ekzekutimit të pagave. Për shkak të grevës së përgjithshme, nuk do të ketë lajme në orën 11:00 dhe 13:00. Sindikata u kërkon falje qytetarëve, duke theksuar se greva vjen si pasojë e mos-ekzekutimit të pagave për pothuajse dy muaj.

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ka njoftuar punëtorët se, duke filluar nga sot, do të organizohet grevë dyorëshe para ndërtesës së Radio Kosovës. Shoqata ka kërkuar sërish nga organet përgjegjëse të marrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në mënyrë që punëtorëve t’u garantohen të drejtat e tyre ligjore dhe institucioni të vazhdojë punën pa pengesa.

Përveç nisjes së grevës, përfaqësues të sindikatave dhe punonjës kanë protestuar disa herë radhazi gjatë javëve të kaluara para objekteve të transmetuesit publik dhe Kuvendit të Kosovës, por pa rezultat.

Sindikatat paralajmërojnë se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në dhe, përveç grevës, do të organizojnë edhe protesta para Qeverisë dhe Kuvendit në ditët në vijim. /rtk/