Greva që kundërmon, era e mbeturinave “djeg” bizneset
Tash e dy javë punëtorët e Ndërmarrjes Pastrimi janë në grevë para objektit të Komunës së Prishtinës. Në shenjë greve, ata kanë vendosur edhe kamionët e tyre në rrugë para komunës. Ata janë gjobitur disa herë nga Policia e Kosovës e siç po shihet, kjo vendosje e kamionëve u ka lehtësuar qytetarëve që të hedhin…

Lajme
Tash e dy javë punëtorët e Ndërmarrjes Pastrimi janë në grevë para objektit të Komunës së Prishtinës. Në shenjë greve, ata kanë vendosur edhe kamionët e tyre në rrugë para komunës.
Ata janë gjobitur disa herë nga Policia e Kosovës e siç po shihet, kjo vendosje e kamionëve u ka lehtësuar qytetarëve që të hedhin direkt mbeturinat në kamion. E për erën kundërmuese e shëndetin e qytetarëve nuk po merr përgjegjësi askush.
Rreth kësaj janë ankuar edhe bizneset në këtë anë, pasi që nuk po kanë fitim tash e dy javë.
Pronari i një biznesi, Zijadin Gashi, tha për KP, se ka humbur klientët e tij nga era kundërmuese.
“Që dy javë na kanë marrë në qafë, kam me pagua qiranë, njeri i gjallë nuk vjen nga era e kundërmimit… Nuk ki as kujt t’i ankohesh, nuk di më shumë, te kush veç me shkuar te popi në Graçanicë, ai u kryen punë”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, një punëtore e një barnatoreje e cila nuk dëshironte të prezantohej, u ankua se është dashur ta mbyllin edhe dyqanin.
Ajo ka treguar se kanë dërguar peticion në polici dhe në Inspektoratin e Shëndetësisë, por ende nuk kanë ndonjë përgjigje.
“Humbja ka qenë shumë e madhe aq sa me qenë e mbyllur komplet dyqani, njerëzit kanë filluar të mos kalojnë më këndej për shkak të erës së rëndë që është, përtej humbjes së biznesit është shëndeti ynë që ne rrimë tërë kohën, edhe është shëndeti i çdo qytetari që kalon këndej, secili fillon të marrë maska apo ta mbulojë fytyrën e gojën kur kalon këndej. Ne kemi bërë një peticion, komplet kjo pjesa e bizneseve këndej, e kemi nënshkruar, e kemi dërguar në polici dhe në Inspektoratin Shëndetësor që me ardhur dhe me e pa gjendjen e rënduar”, është shprehur ajo.
E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Ndërmarrjes Pastrimi, Adrian Krasniqi, ka kërkuar falje për qytetarët e kryeqytetit për erën, ndërkaq pranon se qytetarët kanë hedhur edhe mobilie në kamionë.
“Është e vërtetë që kamionët, mbrapa qytetarët duke kaluar po hedhin, kanë hedhur edhe mobilie, diku i pamë, por ne jemi në grevë, ne kemi biseduar me ta, kemi kërkuar falje disa prej tyre, kërkojmë falje edhe njëherë edhe qytetarëve që nuk po iu mblidhet bërlloku tek dera më shumë se gjysmën e Prishtinës, por nuk kemi çka bëjmë, jemi ku jemi, kemi ardhur këtu se nuk kemi rrugëdalje tjetër”, ka shtuar Krasniqi.
Nga Komuna e Prishtinës thonë se për largimin e kamionëve është kompetencë e Policisë së Kosovës.
KosovaPress ka pyetur Policinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.