Greva e punëtorëve teknikë, Azemi: Do ta vazhdojmë derisa pagat t’i shohim me sytë tonë
Kanë mbetur pa paga dhe janë pa kontratë, kjo është arsyeja që shumë punëtorë teknikë të shkollave në Prishtinë sot janë në grevë. Ata thonë se ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill dhe janë pa kontrata prej gati 2-3 muaj. Në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali në Prishtinë, ishte…
Lajme
Kanë mbetur pa paga dhe janë pa kontratë, kjo është arsyeja që shumë punëtorë teknikë të shkollave në Prishtinë sot janë në grevë. Ata thonë se ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill dhe janë pa kontrata prej gati 2-3 muaj.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali në Prishtinë, ishte edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Ai tha për KosovaPress se pagat e këtyre punëtorëve teknikë janë aq të ulëta sa që edhe kur i marrin me kohë nuk po mund t’i dalin e kjo vështirësohet më shumë kur ka vonesa.
“Kërkesa për grevë është sepse ne jemi sot me datën 19 dhe nuk i kemi marrë pagat për muajin prill. Pagat tona janë aq të ulëta sa që edhe kur i marrim me kohë nuk po mund t’i dalim e lëre më tani që kemi hyrë në javën e tretë që nuk i kemi marrë. Këtë gjendje e rëndon hala më shumë se pjesa dërmuese jemi me kredi dhe për çdo ditë bankat po na thërrasin për kamatën e tyre….Nuk kemi paga, nuk kemi kontrata por në fakt, krejt ajo çka kemi ne, kemi organizimin sindikal, jemi në grevë pothuajse gati të gjitha shkollat në nivel të Komunës së Prishtinës dhe për këtë parregullsi do të bëjmë përgjegjësi aktorët e Komunës së Prishtinës”, tha Azemi.
Hasan Hoti, punëtor teknik në shkollën “Ismail Qemali” ka shprehur ankesat e tij, duke potencuar se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, e të cilat janë pagat dhe kontratat.
“Arsyeja e grevës është mosmarrja e pagës dhe kontrata. S’kemi kontrata për momentin nga operatori i kaluar që i ka skaduar kontrata. Ai na ka mbetur borxh edhe nuk po na e jep pagën e muajit prill. Paga e muajit prill edhe aktualisht i ka skaduar kontrata atij ndaj nesh dhe për momentin s’kemi kontratë. Kërkesa jonë është me na i qit pagat edhe i duam kontratat…Jo, ne grevën do ta mbajmë derisa të arrihen kërkesat tona”, tha Hoti.
Punëtori tjetër, Ruzhdi Miftari thotë se kërkesat e tyre nuk u përfillën.
“Arsyeja… rrogat. Rrogat s’i kemi, kontratë pune nuk kemi. Me datë 11 të muajit të kaluar i ka dalë kontrata… nja dy-tre muaj besoj i ka dalë kontrata kompanisë “Laguna”. Kurrfarë përgjegjësie s’kemi prej tyre më, as rrogë, asgjë prej gjëje. Thjesht kemi mbetur në hava. Kërkesat tona… me na i qit rrogat, këtë duam. Edhe me na i pru kontratat e punës”, tha Shala.
Se po kërkojnë të drejtat e tyre, pagën dhe kontratën tha Gani Imeri.
“Edhe rroga s’kemi, pa kontrata jemi. Ne po e kërkojmë rrogën edhe kontratën, me ditë kush po na merr, kush po na mban. Ne që tash jemi sikur ku humbemi. E po duam me ditë ku jemi, kush na merr, kush na e jep, kush na i jep rrogat që tash e tre muaj ditë. Këtë duam me ditë… që dy muaj s’i kemi marrë. E tash ne po e kërkojmë të drejtën tonë: rrogën me na e qitë që kemi… çfarë kemi punuar, edhe kontratën”, tha Imeri.
Se greva do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, e pohon edhe Azemi, i cili thekson se nuk do të kryejnë asnjë shërbim derisa t’i marrin pagat dhe kontratat.
“Ne nuk e kemi ndërmend as të gjuajmë askënd, as të kallim askënd. Vendimi ynë dhe fuqia jonë është greva. Dhe kjo grevë është shumë normale që do të zgjasë deri në momentin që pagat t’i shohim ne me sytë tonë, përndryshe nuk i besojmë askujt. Në momentin kur pagat bien në llogaritë tona do të kthehemi në punë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë me grevë po themi kështu të përditshme dhe nuk do të kryejmë asnjë shërbim”, shtoi Azemi.
KosovaPress ka provuar të kontaktojë me drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.