Greqia sot vendos për siguri e besim, ose hyrje aventurave

Prej orës 7:00 të mëngjesit të së dielës, rreth 9.8 milionë grekë u janë drejtuar gati 20,000 qendrave të votimit për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e ardhshme të Greqisë, duke dhënë një mesazh se duan të rinegociojnë kushtet e ndihmës ekonomike me huadhënësit ndërkombëtarë.

Lajme

25/01/2015 09:45

Kryeministri Samaras, i cili pretendon se ekonomia po rimëkëmbet, ka votuar qysh herët në mëngjes, me shpresën të rreth 14% e grekëve të pavendosur dhe të 2.1 milionë votuesve të moshës mbi 70 vjeç-çe  dhe të vështirë për t’i bindur, raporton Top Channel.

“Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të shkojmë përpara me dinamizëm, siguri dhe besim, ose nëse do të hyjmë në aventura”, tha kryeministri grek, Antonis Samaras.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës Aleksis Tsipras, i kënaqur nga sondazhet, pret me ankth të përqendrojë një diferencë të madhe votash, të mjaftueshme për të marrë shumicën në Parlament, përndryshe do t’i duhet të zgjedhë midis partive të vogla, me të cilat mundësitë për bashkëpunim janë minimale dhe kjo do të vështirësojë premtimet e tij elektorale.

PASOK kërkon të ruajë fuqinë mbështetëse, përndryshe edhe lideri socialist Venizelos do të përballojë dyshimin e anëtarëve të partisë së tij.

Lideri i partisë “Lumi” shijon betejën e tij të parë për Parlament, me synim vendin e tretë. Po ashtu, edhe komunistët grekë përpiqen për një numër dinjitoz votash.

Më të shqetësuarit janë ish-kryeministri Papandreu me partinë e tij 22-ditore, të cilën sondazhet e lënë jashtë kufirit prej 3%, që i lejon futjen në Parlament, ashtu si dhe “Grekët e Pavarur”.

Vlerësohet që pjesëmarrja të jetë më e madhe se në zgjedhjet e kaluara. Pas mbylljes së vendvotimeve do të publikohen sondazhet paraprake, “exit polls”, ndërsa rreth orës 21 e 30 minuta do të ketë një vlerësim të parë zyrtar për rezultatin e zgjedhjeve. (Top Channel).