​Greqia aprovon ligjin që lejon 13 orë punë në ditë

Parlamenti grek ka miratuar pas shumë debateve, projektligjin që lejon deri në 13 orë punë në ditë, shkruan tgcom24. Qeveria konservatore e ‘Demokracisë së Re’’ e quan atë një reformë që promovon “punë të drejtë dhe fleksibël për të gjithë”, ndërsa sindikatat greke e konsiderojnë legjitimim të “skllavërisë së paguar”. Ligji i ri, i nënshkruar…

Lajme

16/10/2025 16:26

Parlamenti grek ka miratuar pas shumë debateve, projektligjin që lejon deri në 13 orë punë në ditë, shkruan tgcom24.

Qeveria konservatore e ‘Demokracisë së Re’’ e quan atë një reformë që promovon “punë të drejtë dhe fleksibël për të gjithë”, ndërsa sindikatat greke e konsiderojnë legjitimim të “skllavërisë së paguar”.

Ligji i ri, i nënshkruar nga ministri i Punës Niki Kerameos, përcakton që punonjësit e sektorit privat mund të punësohen nga i njëjti punëdhënës për 13 orë në ditë (përveç orarit të zakonshëm 8-orësh) për jo më shumë se 37 ditë në vit, në bazë vullnetare.

Orët shtesë do të kompensohen me një rritje page prej 40%. Një ligj aktual (i miratuar gjithashtu nga konservatorët dy vjet më parë) tashmë lejon ditë pune 13-orëshe, por vetëm për dy punëdhënës të ndryshëm.

Pavarësisht protestave nga përfaqësuesit e punëtorëve, partia në pushtet, me shumicën e saj në parkament, ka vendosur të vazhdojë përpara.

Ligji i aprovua edhe pse këtë muaj u organizuan dy greva të përgjithshme për të kundërshtuar një iniciativë që konsiderohet si “kthimi i të drejtave të punës në Mesjetë” … ashtu siç shkruhej në pankartat e shfaqura në krye të demonstratave në qytetet kryesore greke.

Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Grekë beson se reforma “rrezikon shëndetin dhe sigurinë e punonjësve dhe shkatërron çdo ekuilibër midis jetës personale dhe profesionale”, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.