Greqi: Pësoi lëndim të rëndë në kokë, humb jetën futbollisti shqiptar

16-vjeçari shqiptar Asllan Gjana ka humbur jetën në Greqi, pasi pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli. Ngjarja e rëndë ndodhi në një stadium në zonën e Kavalës, duke tronditur familjen, komunitetin sportiv dhe komunitetin shqiptar në Greqi. Gjana ishte duke luajtur në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës…

Sport

29/09/2026 14:59

16-vjeçari shqiptar Asllan Gjana ka humbur jetën në Greqi, pasi pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli. Ngjarja e rëndë ndodhi në një stadium në zonën e Kavalës, duke tronditur familjen, komunitetin sportiv dhe komunitetin shqiptar në Greqi.

Gjana ishte duke luajtur në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur në minutën e dytë të takimit u përplas rëndë, shkruan Abcnews.al.

Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit.

Pas aksidentit, atij iu dha menjëherë ndihma e parë nga mjeku i pranishëm në stadium. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u vendos transportimi i tij i menjëhershëm në spital.

Asllan Gjana u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Lajmi për vdekjen e 16-vjeçarit ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në klubin e tij, i cili ka reaguar me një mesazh lamtumire.

Klubi ka bërë të ditur se është në zi për humbjen e futbollistit të ri, duke shprehur se kujtimi i Asllan Gjanës do të mbetet përgjithmonë mes tyre.