Grenell kërkon ndalimin e financimit për Specialen: Janë shpërdoruar miliarda, gjithçka është politikë

Emisari i Posaçëm i ShBA-së për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka kërkuar ndërprerjen e financimit për Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, duke e cilësuar këtë institucion si të motivuar politikisht në të cilin janë “shpërdoruar miliarda”. Grenell ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka shpërndarë një postim të…

Lajme

13/04/2025 10:00

Emisari i Posaçëm i ShBA-së për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka kërkuar ndërprerjen e financimit për Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, duke e cilësuar këtë institucion si të motivuar politikisht në të cilin janë “shpërdoruar miliarda”.

Grenell ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka shpërndarë një postim të gazetetarit Fitim Çeku, duke shkruar:

“Ndalni fondet për këtë gjykatë!

Është gjithçka politikë.

Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar.”

Çeku ka postuar ‘screenshots’ në të cilat shihet se Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West dhe prokurorja tjetër e Gjykatës Speciale në Hagë, Silvia D’Ascoli, kanë pëlqyer një postim i cili fyente Presidentin Donald Trump.

“Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West, ka pëlqyer një postim që fyente Presidentin Donald Trump.

Përveç Prokurores së Përgjithshme, shihet se postimin që fyente Presidentin Trump e ka pëlqyer edhe prokurorja tjetër e Gjykatës Speciale në Hagë, Silvia D’Ascoli.

Pra, është e qartë se në Hagë, në rastin e Thaçit, ekziston një frymë anti-Trump, dhe përndjekja ndaj Presidentit Thaçi po ndodh sepse Thaçi është pro-Trump.” – ka shkruar Çeku në X.

 

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, mbetet një nga kritikët më të ashpër të Gjykatës Speciale. Në reagime tjera ndaj këtij institucioni, ai ka thënë se evropianët dështuar “të veprojnë kundër kësaj padrejtësie” dhe se burgosja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “duhet të marrë fund.”

Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit. Dhe, institucionet kosovare shtetërore kanë dështuar të ndërmarrin veprimte e nevojshme ligjore për ta ndalur këtë padrejtësi, për shkaqe politike. Kjo burgosje e gabueshme duhet të marrë fund”, ka thënë ndër të tjera Grenell.

Ky nuk është rasti i vetëm kur gjyqtarë të Gjykatës Speciale janë përfshirë në çështje me nuanca politike. Para rreth dy javësh, Nacionale raportoi për përfshirjen e gjyqtares së procedurës paraprake në rastin e Thaçit dhe të tjerëve – për pengim të drejtësisë – në diskutime politike që zhvilloheshin online. Kjo kishte ndodhur disa muaj më parë.

Bëhet fjalë për gjyqtaren franceze, Majori Maselo, e cila kishte pëlqyer një postim të emisarit të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

Troccaz ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai e quante Francën partnere të ngushtë të Serbisë në rrugën evropiane.

“I nderuar që u prita në Beograd nga Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, pak ditë pas vizitës së tij të suksesshme në Francë. Franca qëndron përkrah Serbisë në rrugën drejt Evropës”, shkruante ai në rrjetin social LinkedIn.

Në mesin e atyre që kishin pëlqyer këtë postim ishte edhe gjyqtarja që aktualisht po trajton rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë.