Gratë paguajnë detektiv “Shigjetën”, duan prova për tradhti bashkëshortore

Detektivë privatë (ilegalë) po fotografojnë dhe po incizojnë me video persona të ndryshëm fizikë dhe juridikë, kryesisht me kërkesë të bashkëshorteve, të cilat kanë dilema për tradhti bashkëshortore.

Lajme

28/08/2014 11:52

E gjithë kjo po bëhet përkundër mungesës së një ligji për Detektivët Privatë, kurse janë kryesisht gratë e biznesmenëve të ndryshëm dhe të zyrtarëve të lartë qeveritarë ato që po “hetojnë” aferat eventuale të burrave të tyre. 

Nga një hulumtim që ka bërë gazeta “Zëri” ka siguruar prova se cilindo biznesmenë apo politikanë mund të përcillet për tre ditë rresht me një çmim prej vetëm 200 eurove.

Nëse detektivi nuk mbledh provat e mjaftueshme për këtë kohë, atëherë për dy muaj hetime të vazhdueshme, ai duhet paguar 1000 euro.

Gazeta “Zëri” , ka arritur të kontaktojë me njërin prej “detektivëve” ilegalë.

Përmes një e-maili fiktiv me emrin “Vjollca”, gazeta i ka shkruar njërit nga “detektivët”, që ka paraqitur për reklamë veprimtarinë e tij në rrjete sociale.

Nga “hetuesit” kërkohej vërtetimi i disa dyshimeve, për një bashkëshort “Kazanovë”, për çka do të paguhej.

“Detektivi”, që përmes e-mailit është paraqitur si Fisnik Shigjeta, pas dy bisedave telefonike ka treguar për punën e tij, çmimin dhe përvojën, shkollimin dhe rastet që ka kryer më sukses.

Shigjeta ka treguar se këtë punë nuk e bën vetëm, por si ekip, dhe në tërë Kosovën, dhe mbi të gjitha, ai ka garantuar ruajtjen e privatësisë së klientëve në rast të angazhimit.

“Na jemi aq sekret për t’i mbrojtur të dhënat e Juaja, por edhe Ju duhet të na mbroni neve. Nuk bënë të na shpallni, që pas një kohe pasi ta mbarojmë punën t’i thoni burrit se këtë janë ata që të kanë përcjellë. Edhe Ti duhet të jesh profesionale, e sa na përket neve, ne nuk biem viktimë në këtë punë…”, ka thënë ndër të tjera Shigjeta.

I pyetur nga “Vjollca” se ku mund ta takojë, Shigjeta ka thënë se nuk kanë zyrë, porse mund të takohen në kafene , aty ku ajo e cakton.

E për pagesën Shigjeta nuk ka kurrfarë kushti – atë e pranon edhe kesh, edhe përmes xhirollogarisë bankare, porse një pjesë të parave e dëshiron që në fillim të “hetimeve”.