Gradualiteti drejt dështimit

11:32 | 31 Janar 2019

Foto nga: Blerim Shala

Zhvillimet politike në Kosovë dhe ato në Britaninë e Madhe, e cila për përballet me domosdoshmërinë e Brexit-it, kanë një element plotësisht të përbashkët.

Njëri prej personazheve të romanit të njohur ‘The Sun Also Rises’, të shkrimtarit të shquar amerikan Ernest Hemignway, në pyetjen se si ka ndodhur bankrotimi i tij, përgjigjet: ‘Gradualisht  (apo hap has hapi), pastaj befasueshëm (apo përnjëherit)’.

Natyrisht, paradoksi i kësaj përgjigje hetohet menjëherë. Nuk ndodhë gjë befauseshëm, apo përnjëherit, nëse ka paralajmërime të qarta të drejtimit të gabuar (që një biznes ka marrë), përmes hapava gradual.

Kështu është në jetën e individit, kështu është edhe në organizimin e një shoqërie dhe të një politike.

Duhet thënë me të parën që politika, shoqëria dhe ekonomia kosovare ende nuk i janë afruar dështimit total  (bankrotimit), por ky gradualiteti i ecjes në një udhë të gabuar, po hetohet tash e sa vjet, apo, është kryetipari i funksionimit të politikës kosovare.

Fillimisht pra, ne të gjithë jemi dëshmitarë të degradimit të vlerave themelore të shtetit të Kosovës. Është thënë edhe më parë, mund të përsëritet sërish. Ashtu siç vetë çlirimi i Kosovës dhe bërja e shtetit të Kosovës ka qenë një ndërmarrje e përbashkët në mes nesh dhe Perëndimit, njëlloj edhe ky zhvlerësim politik i shtetit të Kosovës, ka hisedarë vendorët dhe ndërkombëtarët. Por, në asnjë variant askush nuk mund t’i fajësojë qytetarët për këtë dukuri. Përkundrazi, ata si gjithmonë janë treguar të durueshëm.

Në anën tjetër, ky gradualiteti dhe kontinuiteti i teposhtëzës, e cila po bëhet gjithnjë e më e rrezishme, njeh edhe telashet serioze në marrëdhëniet në mes nesh dhe Perëndimit, duke përfshirë këtu edhe relacionet e Kosovës me SHBA-në.

Në këtë aspekt, ‘lansimi i gradualitetit’ nisi me vjeshtën e vitit 2015, kur opozita e atëhershme parlamentare, vendosi të mëdyshë me të gjitha mjetet Marrëveshjen e Kosovës me Malin e Zi për shenjimin e kufirit, si dhe atë në mes të Kosovës dhe Serbisë, për krijimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Për herë të parë u hetua fenomeni politik kur Ambasada e SHBA-së/ State Departmenti, hasën në rezistencë të madhe, jo vetëm në opozitë por edhe tek koalicioni qeverisës, në ofrimin e interpretimit të tyre për një çështje. Thjeshtë, qëndrimi dhe fjala amerikane, të cilat rëndom ishin garanca supreme për politikën kosovare, nuk bënë fare punë.

Tani, siç e dimë të gjithë ne, në rrethana krejtësisht tjera, kemi mbërri tek situata kur raportet tona, si politikë kosovare me SHBA-në, njohin pikën më të ulët dhe më problematike në një miqësi dhe partneritet që është farkëtuar në vitet më të vështira për shqiptarët e Kosovës.

Një tjetër temë gjithashtu shumë problematike, njeh formën e përshkallëzimit që mund të merr përmasat dramatike për stabilitetin social të Kosovës. Për shkak të Ligjit për pagat, të përgatitur nga Qeveria e Kosovës, gjithsesi me qëllim shumë të mirë  (Ligji për pagat ka vlerën kushtetuese në rregullimin e Administratës së një shteti), prej fundit të vitit të kaluar e këndej, ose kemi greva, ose paralajmërime për greva të ndrydshme, të cilat kërcënojnë të paralizojnë plotësisht arsimin, shëndetësinë, administratën publike, gjithçka, në fakt.

‘Debati social’ deri tash nuk ka dhënë rezultate fare, sepse janë dy tema të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me kategorizimin e atyre që punojnë në arsim, në shëndetësi, etj, dhe me vlerën e pagesë së këtyre kategorive.

Në anën tjetër, poqëse do të përfilleshin të gjitha kërkesat e sindikatave dhe grevistëve, ai gradualiteti i personazhit të Hemingwayit, do të mbërrinte tek bankrotimi i mirëfilltë i shtetit të Kosovës.

Por, duket që vetë Ligji për pagat, ky që është aktualisht, ka inkurajuar kërkesa të shumëllojta për kategorizimin tjetër në shëndetësi, arsim dhe gjetiu, dhe për paga më të larta se sa që realisht mund t’i ofrojë Buxheti i Kosovës për vitin 2019.

Ndryshe, edhe ky Buxhet nuk është miratuar ende. Ne si Kosovë po jetojmë, në aspektin buxhetor, me para të huazuara.

Edhe pse janë këto dy situata parimisht të pakrahasueshme, zhvillimet politike në Kosovë, me synim të ruajtjes së stabilitetit politik, social dhe ekonomik, dhe ato që karakterizojnë aktualisht Britaninë e Madhe, e cila për përballet me domosdoshmërinë e daljes nga BE-ja  (Brexit-i), kanë një element plotësisht të përbashkët.

Njëlloj sikurse që për Londrën zyrtare dhe Qeverinë e Britanisë së Madhe, nuk po gjindet një rrugë e mirë dhe e duhur për ta bërë Brexit-in, duket që as në politikën kosovare nuk ka shenja se çka do të duhej bërë për ta ndalë këtë teposhtëzen e madhe.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)