Grabovci: Me çka mund të krenohet Isa Mustafa?!

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka vlerësuar se për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vizionit, opozita është duke u marrë me çështjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Lajme

29/04/2014 15:40

Ai në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se opozita e ka pranuar se nuk mund ta rrëzojë Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi.

“Të gjitha këto janë në vazhdën e manovrimeve apo lojërave të opozitës, për shkak të mungesës së vizionit të tyre për të ardhmen dhe për shkak të paaftësisë së tyre për t\’u marrë me probleme ditore. Në vend se të ofrojë zgjidhje për probleme të caktuara, opozita merret me këto çështje. Ajo çfarë është me rëndësi, siç e ka thënë edhe Ismet Beqiri, ‘se nuk kanë mundësi ta rrëzojnë vetë Qeverinë’. Pra, Qeveria është shumë stabile, është duke i përmbushur të gjitha obligimet e veta”, ka thënë Grabovci.

Në këtë kontekst, Grabovci ka thënë se opozita nuk ka “takat” ta rrëzojë Qeverinë. Ai ka deklaruar se është krejt normale që opozita dëshiron të vijë në pushtet.

“Dëshira e partive opozitare është të vijnë në Qeveri. Pavarësisht kësaj, nuk mjafton vetëm të kesh dëshirë, por duhet të kesh vizion, kreativitet dhe program të qartë për t’i fituar zgjedhjet. Asnjërin nga këto elemente nuk i ka opozita, siç i ka PDK-ja”, është shprehur Grabovci.

Ai ka bërë me dije se para disa ditësh e ka pyetur sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, se çfarë vendimesh të rëndësishme për Kosovën ka marrë Isa Mustafa.

“Më herët e kam pyetur z. Ismet Beqirin, të cilin e pyes përsëri. Le të më tregojë ai dhe zyrtarët e tjerë të LDK-së, se me cilën vepër ose vendim pozitiv për vendin, mund të krenohen me liderin e tyre? Unë të gjithë zyrtarëve të LDK-së mund t\’ia numëroj me orë të tëra vendimet dhe përpjekjet e liderit tim për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj u bëj ftesë të gjithëve të punojmë bashkërisht për ta çuar shtetin përpara”.