Grabovci është bërë humorist
Sekretari i përgjithshëm I LDK-së, Ismet Beqiri i është përgjigjur deklarimeve të të nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabvoci, i cili ka thënë se është “absurde” një qeveri pa PDK-në, dhe se LDK-AAK-Nisma janë duke bllokuar formimin e institucioneve.

Lajme
Gjatë një prononcimi për “Epoka e Re”, Beqiri ka thënë se PDK është në panikë andaj nuk po e sheh “realitetin”.
Ai ka thënë se kur të shoh realitetin kjo parti, do ta kuptojë se duhet të dalë në opozitë.
“Në asnjë mënyrë nuk jemi duke e penguar formimin e institucioneve të reja. Ata që po tentojnë ta bllokojnë formimin e institucioneve, në këtë rast Kuvendin, janë nga PDK-ja”.
“Prandaj është hipokrizi dhe pafytyrësi e zyrtarëve të PDK-së, të cilën bllokadat që janë duke i bërë vetë po tentojnë t’ua veshin të tjerëve”.
“Ata janë duke e parë një realitet. Këtë herë nuk mund të gënjejnë dhe mashtrojnë opinionin. Do të dëshiroja që PDK-ja të mos ishte në panikë. Ata duhet ta pranojnë realitetin se nuk mund ta formojnë qeverinë dhe në mënyrë shumë të qetë të kalojnë në opozitë, sepse nuk i kanë numrat. Do të donim që PDK-ja ta kalonte fazën e panikut dhe të bie në tokë dhe ta pranojë realitetin se në seancën konstituive të Kuvendit, më 17 korrik, ajo i kishte 37 vota, kurse ne 83”, ka thënë Beqiri.
Duke komentuar deklarimet e Adem Grabovcit, i cili ka deklaruar se PDK-ja ka numrat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, Beqiri ka thumbuar Grabovcin duke i thënë se ai është “shndërruar në një humorist”.
“Sinqerisht jemi në një situatë serioze dhe të rëndësishme për vendin. Për shkak të kësaj situate duhet ta lëmë anash humorin. Mendoj se z.Grabovci është shndërruar në një humorist. Më vjen keq që po e quaj humorist në një situatë serioze për Kosovën. Vendit nuk i duhen skena humoristike. Është e pakuptueshme të thonë se i kanë numrat, kur në seancën konstituive është parë kush i ka numrat. Përpos 37 deputetëve, askush nuk dëshiron bashkëqeverisje me PDK-në”, ka deklaruar Beqiri për “Epoka e Re”.