Grabitje në Deçan – Dy persona të maskuar i hyjnë në dhomë një qytetari gjatë gjumit, njëri e mbante, tjetri i vodhi paratë
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në qytetin e Deçanit, ku dy persona të maskuar kanë hyrë në dhomën e gjumit të një qytetari kosovar dhe i kanë marrë një çantë me para. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 korrik 2025,…

Lajme
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në qytetin e Deçanit, ku dy persona të maskuar kanë hyrë në dhomën e gjumit të një qytetari kosovar dhe i kanë marrë një çantë me para.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 korrik 2025, rreth orës 01:15, në momentin kur ankuesi ishte duke fjetur në dhomën e tij. Dy persona të panjohur dhe të maskuar kanë hyrë në dhomë, ku njëri prej tyre e ka mbajtur të ankuesin, ndërsa tjetri ka marrë një çantë në të cilën ndodhej një shumë e konsiderueshme të hollash, transmeton lajmi.net
Rasti është raportuar menjëherë në polici dhe, sipas autoriteteve, prokurori kompetent është njoftuar dhe ka urdhëruar fillimin e hetimeve.
Policia është duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për shumën e saktë të të hollave apo për dëmet e tjera materiale.
Raporti i plotë:
GRABITJE
Deçan / 17.07.2025 – 01:15.
Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke fjetur në dhomën e tij, kanë hyrë dy persona të maskuar, ku njëri prej tyre e ka mbajtur, derisa tjetri ia ka marrë një çantë në të cilën ankuesi kishte një shumë të konsiderueshme të hollash.
Lidhur me rastin është njoftuar dhe konsultuar prokurori, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve./lajmi.net/