GLPS: Ursula van der Leyen presidentja më e favorshme e KE-së për Kosovën
Shqetësimi kryesor për Kosovën mund të jetë se Borrell - vjen nga Spanja!
Lajme
Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) Komisioni Evropian asnjëherë nuk ka pasur një president më të favorshëm për Kosovën sesa emërimi i Ursula van der Leyen në këtë pozitë. Kështu të paktën thuhej në prezantimin e raportit e GLSP-së “Zgjedhjet në Bashkimin Evropian: Kosova përballë përbërjes së re të Komisionit Evropian”. Ndërsa, sipas këtij raporti efektet e nominimit të Josep Borrell në pozitën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurinë në dialogun Kosovë-Serbia, ende janë të paqarta dhe duhet subjekt i një diskutimi të kujdesshëm.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha ka thënë se emërimi i Ursula von der Leyer si presidente e Komisionit Evropian është pozitivë për Kosovës, prandaj lidershipi i Kosovës duhet të forcojë partneritetin që ka me Gjermanin dhe Francën. Ajo tha se zgjerimi i Ballkanit Perëndimor mbetet temë e nxehtë në mesin e zyrtarëve evropian, derisa Leyen e ka shprehur mbështetjen e saj për të rritur marrëdhëniet në mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Sipas GLPS-ës, presidentja e sapozgjedhur e Parlamentit Evropian do ridizajnojë “Parimin Regat”, në mënyrë që mos t’i lejojë Serbisë ecje të konsiderueshme përpara në integrim pa u zgjidhur plotësisht perspektivat evropiane e Kosovës dhe pa fituar Kosova statusin e kandidatit. “Ne si GLPS konsiderojmë se emërimi i saj në postin e presidentes së Komisionit Evropian pozitiv për Kosovën në përgjithësi do të rris rolin dhe do të ketë një menaxhim më ët madh të Berlinit në proceset siç është zgjerimi dhe në përgjithësi në Bashkimin Evropian, e cila pritet rrjedhimisht të reflektoj pozitivisht në rastin e Kosovës. Ne konsiderojmë që emërimi i saj pritet të rris rolin e Gjermanisë dhe Francës në përgjithësi i cili do të reflektohet me një menaxhim më të drejtpërdrejtë dhe lidership më të fortë në çështjet siç janë zgjerimi por edhe dialogu Kosovë-Serbi , dhe për këtë të fundit në rast se është e domosdoshme edhe të zbeh rolin potencialisht rolin e Përfaqësuesit të lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë. Ky është një moment historik dhe realisht një moment strategjik për Kosovën dhe ky është një rast shumë i mirë për liderët e Kosovës që të përforc ojnë dhe të rrisin partneritetin që kanë me Gjermaninë dhe Francën dhe ta bëjnë këtë në favor të Kosovë”, tha Loxha.
Kurse, Përparim Kryeziu nga GLSP i cili foli për efektet e Josep Borrell në pozitën e përfaqësuesit e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, tha se shqetësimi kryesor për Kosovën mund të jetë se Borrell vjen nga Spanja, shtet ky i cili nuk e ka njohur Kosovën. Por në anën tjetër, Kryeziu tha se Borrell pritet të mbaj një pozicion neutral ndaj shtetësisë së Kosovës. Sipas tij, motivi i Borrell për të ndërmjetësuar një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë është për t’i treguar Katalonisë se nuk duhet ta marrë shembull Kosovën për të kërkuar pavarësinë e saj. “Një efekt pozitiv emërimi i zotëri Borrell mund të jetë pikërisht motivi i tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Rikujtojmë që refuzimi për njohje nga ana e shtetit spanjoll ka për bazë lëvizjet separatiste brenda Spanjës. Prandaj, zotëri Borrell kundërshtar i thirrjeve separatiste brenda Spanjës, përkatësisht kundërshtar i thirrjeve për pavarësi të Katalonisë mund të ketë motiv shtesë për arritjen e një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë që t’ia dëshmoi Katalonisë se Kosova nuk duhet të jetë shembull për thirrjet e tyre për pavarësi dhe se shtetësia e Kosovës është konsoliduar përfundimisht vetëm në thirrjen e një marrëveshje në mes dy shteteve”, tha Kryeziu.
Kryeziu tha se përkundër që Borrell pritet të ketë qasje neutrale ndaj Kosovës, liderët kosovarë duhet të jenë të gatshëm për një skenar tjetër.
“Në rast të tendencave për të dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog dhe avancimin e një agjende të njëanshme e cila do të ishte në disfavor të Kosovës dhe në favor të Serbisë, GLPS konsideron se Kosova duhet të jetë e gatshme ta adaptoj një agjendë kundërpërgjigjëse përmes të cilës anashkalon pikërisht rolin e Përfaqësuesit të Lartë si figurë kyçe nëm ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kosova në atë rast duhet të lidh interesat me Berlinin dhe Parisin duke shmangur faktorizimin e përfaqësuesit të lartë“, tha ai.
GLPS konsideron se në rastin e Kosovës është shumë e rëndësishme të analizohet përbërja e koalicionit të madh në Komisionin Evropian, grupet kryesore politike dhe përbërja e tyre partiake, si dhe të analizohen implikimet e emërimit të Presidentes së Komisionit Evropian dhe të përfaqësuesit të lartë të BE-së për punë të Jashtme dhe Politikë së Sigurisë.