​GLPS: Kosova nuk është mirë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare për fondet publike në sektorin e shëndetësisë

Kosova qëndron keq e renditur në krahasim me vendet tjera në sektorin e konsultimeve buxhetore me publikun. Bazuar në një pilot projekt të zbatuar nga Instituti GAP në vitin 2023, sa i përket ku gjendet Kosova anketën e transparencës buxhetore, del se vendi ynë ka marrë vetëm 9 pikë nga 100 të mundshme. Kështu u…

Lajme

26/08/2025 13:35

Kosova qëndron keq e renditur në krahasim me vendet tjera në sektorin e konsultimeve buxhetore me publikun. Bazuar në një pilot projekt të zbatuar nga Instituti GAP në vitin 2023, sa i përket ku gjendet Kosova anketën e transparencës buxhetore, del se vendi ynë ka marrë vetëm 9 pikë nga 100 të mundshme.

Kështu u tha se në një tryezë diskutimi të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën: “Fondet publike, shëndeti publik: Analiza e transparencës së buxhetit të shëndetësisë në Kosovë”.

Aty u potencua se në Kosovë procesi i konsultimeve buxhetore me publikun dhe organizatat jo qeveritare dhe mediat është në nivelin më të ulët të mundshëm.

Autori i analizës “Fondet publike, shëndeti publik: Analiza e transparencës së buxhetit të shëndetësisë në Kosovë”, Agron Demi tha se Ministria e Shëndetësisë publikon raporte buxhetore, porse nuk paraqesin shumë detaje. Përveç kësaj, ai tha se mënyra e publikimit në web si në Word apo PDF i bënë ato vështirë të lexueshme.

Derisa prezantoi rezultatet e analizës, Demi potencoi se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka shënuar progres sa u përket publikimeve të raporteve buxhetore, porse edhe në këtë rast kritikoi mënyrën e publikimit.

“Kosova nuk është pjesë e anketës së buxhetit të hapur që zbatohen çdo vit në shumë vende prej partneritetit ndërkombëtar të buxhetit apo ??. Është bërë vitin 2023 një pilot projekt i zbatuar nga instituti GAP sa i përket ku gjendet Kosova në këtë anketë të transparencës buxhetore. Aty del se jemi shumë keq të renditur në krahasim me vendet tjera, ku në sektorin e konsultimeve me publikun Kosova ka marrë vetëm 9 pikë nga 100 të mundshme. Procesi i konsultimeve buxhetore me publikun dhe organizatat jo qeveritare dhe mediat është në nivelin më të ulët të mundshëm…Në rastin e SHKUK-së prej vitit 2022 ka një proaktivitet më të madh në publikimin e raporteve të buxhetit dhe ka një detajizimi apo profesionalizmi sa i përket përmbajtës që publikohen…Problemi që e ndjek edhe ministrinë e SHSKUK-në është që këto raporte publikohen PDF dhe Word…Në Ministrinë e Shëndetësisë ka raporte të publikuara edhe në baza mujore. Megjithëse, raportet që publikohen në MSH-në edhe pse janë mujore nuk paraqesin informacion më shumë se ato kërkohen me kërkesa bazike”, potencoi Demi.

Demi potencoi se nga niveli qendror jo vetëm Ministria e Shëndetësisë (MSH) por as ministritë e tjera nuk e zbatojnë diskutimin me publikun.

Demi: Në nivel qendror jo vetëm MSH-ja por as ministritë e tjera asnjëherë nuk e zbatojnë diskutimin me publikunVideo: 10:05

“Diskutimi buxhetor përfshinë vetëm SHKUK-në dhe Ministrinë e Financave ose Ministrinë e Shëndetësisë, por askund në këtë proces nuk parashihet diskutime me publikun… Në nivel qendror jo vetëm MSH-ja por as ministritë e tjera asnjëherë nuk e zbatojnë diskutimin me publikun. Nuk thirren organizatat e shoqërisë civile, nuk mbahen diskutime publike me gazetarë, është komplet proces i mbyllur”, tha Demi.

Ndër të tjera, Demi theksoi se Kosova nuk qëndron mirë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare dhe asaj të auditimit për fondet publike në sektorin e shëndetësisë.

Ai tha se prej 100 pikëve maksimale, Kosova ka marrë 53 pikë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare

Kuvendi i Kosovës dhe Komisioni i tij përkatës për Shëndetësi kanë autoritetin ligjor për të mbikëqyrur se si shpenzohen fondet publike në sektorin e shëndetësisë.

Kjo përfshin shqyrtimin e ligjeve buxhetore, raporteve financiare dhe gjetjeve të auditimit.

“Kosova nuk është mirë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare dhe mbikëqyrjes prej auditimit…Mbikëqyrja parlamentare mbetet ende e dobët. Prej 100 pikëve maksimale Kosova ka marrë 53 pikë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare. Nëse hyn për të marr informacion në ëebfaqen e Kuvendit të Kosovës sa i përket aktiviteteve të Komisionit për Shëndetësi nuk ka asnjë transkript apo proces verbal sa i përket aktiviteteve të mbikëqyrjes prej vitit 2020”, tha Demi.

Ndërkaq, drejtori financiar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Enver Gashi tha se në nivel qendror nuk ekziston mundësia e diskutimit me publikun për buxhetin në mënyrë direkte.

Sipas tij, në takimet e bordit kur diskutohet për buxhetin marrin pjesë shoqëria civile dhe gazetarët.

Lidhur me keqpërdorimin e fondeve, Gashi tha se nuk mund të thotë se ka pasur apo jo, pasi me këtë pjesë merren organet kompetente.

“Ligji për financa publike e sheh se diskutimet buxhetore në nivelet lokale bëhet edhe opinionin publik. Sa i përket nivelit qendror me opinionin publik nuk e ke mundësinë direkte, por në mënyrë indirekte te diskutime për buxhetin…Ne ofrojmë shërbime dytësore dhe tretësore për opinion që kanë nevojë, qytetarët t’i ftosh të gjithë…shoqëria civile dhe media vijnë në takimin e bordit, aty diskutohet. Edhe aty dokumente i kanë qasje në dokumente edhe të kërkesave edhe të propozimeve tona…E hasa edhe tek fjala keqpërdorime disa herë. Nuk dua të them që nuk ka pasur ose nuk ka, mirëpo iu ka referuar keqpërdorimeve të stentave 2011 është diçka…Nuk dua të përcaktoj a ka qenë gabim apo jo, janë organet kompetente”, tha Gashi.

“Gjatë viteve, sektori i shëndetësisë në Kosovë është përballur me raste të shumta të keqpërdorimit të buxhetit, duke nënvizuar nevojën urgjente për transparencë dhe llogaridhënie më të fortë në shpenzimet publike. Një shembull i spikatur përfshin Fondin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, përmes të cilit shteti shpenzoi gati 70 milionë euro midis viteve 2013 dhe 2020 për shërbime spitalore private, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ndërsa ende i detyrohej 30 milionë euro për trajtime. Pagesat për spitale specifike turke u rritën ndjeshëm gjatë kësaj kohe, nga 30,000 euro në vitin 2013 në më shumë se 2.5 milionë euro në vit, duke ngritur shqetësime në lidhje me referime të pajustifikuara, favorizime dhe mungesë mbikëqyrjeje”, shkruan ndër të tjera në raportin “Fondet publike, shëndeti publik: Analiza e transparencës së buxhetit të shëndetësisë në Kosovë”.

Në kuadër të kësaj analize janë dhënë disa rekomandime sipas të cilave thuhet se të gjitha raportet financiare duhet të publikohen në formate të lexueshme nga makina (p.sh., Excel, CSV) dhe të përfshihen në Portalin e të Dhënave të Hapura të Kosovës për të lejuar analiza të pavarura nga OSHC-të, gazetarët dhe publiku.

Tutje shkruan se raportet duhet të përfshijnë kategori të qarta të shpenzimeve, krahasime midis shpenzimeve të planifikuara dhe atyre aktuale, si dhe përmbledhje që mund të kuptohen edhe nga jo-ekspertë.

Pjesë e rekomandimeve është se seancat dëgjimore publike ose konsultimet online duhet të futen në përdorim gjatë fazës së planifikimit të buxhetit, duke lejuar dhënien e kontributeve nga shoqëria civile, profesionistët e shëndetësisë dhe publiku i gjerë./kp