​GLPS kërkon transparencë për ministrat që u zgjodhën deputetë, e dërgon rastin në AIP

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për mungesën e përgjigjes nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike lidhur me dorëheqjet e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sipas GLPS-së, më 6 gusht 2026 organizata i është drejtuar ZKM-së…

Lajme

17/08/2026 12:53

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për mungesën e përgjigjes nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike lidhur me dorëheqjet e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas GLPS-së, më 6 gusht 2026 organizata i është drejtuar ZKM-së me kërkesë për të marrë listën e anëtarëve të Qeverisë që kanë dhënë dorëheqje, datat e dorëheqjeve dhe vendimet përkatëse për pranimin e tyre.

GLPS thotë se kërkesa është bazuar në Ligjin për Qeverinë, i cili përcakton se një anëtar i Qeverisë në detyrë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, organizata i referohet nenit 72 të Kushtetutës, i cili ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe ministrit.

Në deklaratën e saj, GLPS përmend edhe vendimin e Gjykatës Supreme P.A.nr.09/2025, të 25 qershorit 2025, në të cilin, sipas organizatës, është konstatuar se ushtrimi i njëkohshëm i këtyre dy funksioneve është në kundërshtim me Kushtetutën.

GLPS pretendon se ZKM nuk i është përgjigjur kërkesës brenda afatit prej shtatë ditësh, të përcaktuar me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Sipas organizatës, kjo nuk përbën vetëm shkelje të afatit ligjor, por cenon edhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Për këtë arsye, GLPS ka njoftuar se më 17 gusht ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kërkuar që ZKM të obligohet t’i ofrojë informacionet dhe dokumentet e kërkuara.

GLPS i ka bërë thirrje Qeverisë që ta informojë pa vonesa opinionin publik dhe të bëjë publike dokumentet përkatëse lidhur me dorëheqjet e anëtarëve të kabinetit që janë zgjedhur deputetë.