GLPS: Apel deputetëve që mos të votojnë sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u bënë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos të votojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L – 197 për Zyrtarët Publik, e cila është pika e 22 e rendit të ditës në seancën e sotme plenare. GLPS përmes një komunikate…

Lajme

27/06/2024 10:54

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u bënë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos të votojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L – 197 për Zyrtarët Publik, e cila është pika e 22 e rendit të ditës në seancën e sotme plenare.

GLPS përmes një komunikate për media ka analizuar me kujdes këtë proces që nga fillimi dhe në mënyrë publike ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me procedurën dhe përmbajtjen e këtij Projektligji.
“GLPS ka konstatuar se ky projektligj nuk ka ndjekur Urdhrin e përcaktuar në pikën 12 të Aktgjykimit Nr. ref.: AGJ 2262/23 të Gjykatës Kushtetuese të lëshuar në shtator të vitit të kaluar. I njëjti përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike të cilat duhet të jenë pjesë e fushëveprimit të këtij ligji. Poashtu, zgjatja e afatit deri në 2 vite për Ushtruesit e Detyrës është tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm, dhe ky projektligj bënë pikërisht këtë, duke parashikuar një mekanizëm që brenda vetëm një muaji të përshtaten vendimet për UD-të aktual në mënyrë që vazhdohet kjo praktikë. Njësoj shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku 2 kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për Nivelin e Lartë Drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë”, thuhet në komunikatë
Poashtu, GLPS ka ngritur shqetësime edhe në lidhje me listën e pritjes, ku përmes këtij projektligji institucionit përkatës i mundësohet që t’i pranojë nëpunësit civil tepricë në mënyrë diskrecionale dhe pa asnjë detyrim ligjor, gjë që mund të rezultoj me largim masiv të shërbimit civil si pasojë e mosveprimit të institucionit dhe kalimit të afatit 9 mujor të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 67 të po këtij projektligji. Ngjashëm, ky projektligj kufizon mandatin e shërbyesve civil të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese për nëpunësit aktual, gjë që është në kundërshtim të plotë me Aktgjykimin e lartëpërmendur.
“Si përfundim, GLPS konsideron që projektligji që është planifikuar të votohet në seancën e sotme plenare, jo vetëm që është në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD, por edhe degradon thellësisht funksionimin e shërbimit civil në Kosovë, në formën siç është paraqitur. Duke marrë parasysh defektet e mëdha që ka ky projektligj, por edhe LZP-ja aktuale, GLPS i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos lejojnë që dukuritë e lartëpërmendura të legjitimohen përmes votimit”, thuhet ndër të tjera. /Lajmi.net/