Gjyqtari zviceran: Si i njoha shqiptarët në gjyq dhe si u lidha me ta

Roland Wiprächtiger ka qenë 20 vjet gjykatës në Kantonin e Luzernit. Shpesh ai është gjendur para vendimeve të vështira: të largojë një shtetas të huaj nga Zvicra apo t’ia ofrojë një shans të dytë. Në të shumtën e rasteve Wiprächtiger ishte përcaktuar që çdo të huaji t’i jepte një shans i dytë. Kështu ai nisi të interesohet për shqiptarët dhe të mësojë madje edhe shqip.

Lajme

07/06/2015 11:19

Tani ky gjyqtar shkon në pension. Për portalin e Zvicrës qendrore “zentral+” ai flet për jetën e tij – profesionale dhe private.

“Paragjykimet janë pjesë e njeriut, edhe unë kam paragjykime. Por është mirë që ato t’i vërejmë vetë”. Njeriu që i thotë këto fjalë është ballafaquar më shumë se dy dekada me të gjitha problemet e të huajve në Zvicër.

Ai është gjendur para vendimeve të rëndësishme, të cilat kanë mundur të kenë pasoja pozitive apo negative për një familje apo individ. Ai ka vendosur nëse një familje mund të qëndrojë në Zvicër apo jo, nëse qëndrimin e saj e lejon ligji apo jo, nëse brenda ligjit mund të gjendet një nen, i cili lejon një interpretim tjetër të ligjit.

Tani Roland Wiprächtiger është 68-vjeçar dhe ka vendosur të lë punën e gjykatësit në qytetin e Luzernit dhe të shkojë në pension. Në një intervistë dhënë portalit «zentral+» të Zvicrës qendrore Wiprächtiger i bën një bilanc jetës së tij – profesionale dhe private.

Në kundërshtim me trendin e drejtësisë zvicerane, e cila nën presionin e qarqeve populliste tregohet gjithnjë e më e rigoroze ndaj të huajve, Wiprächtiger është përpjekur jetë më tolerant, madje edhe atëherë kur ka pasur të bëjë me delikuentë.

“Kur bëhej fjalë për raste të dëbimit (nga Zvicra) unë personalisht kam qenë i mendimit se secila e huaj dhe secili i huaj meriton një shans të dytë. Dhe sa i përket temës së bashkimit familjar unë kam qenë kundër që të sillen punëtorë në vendin tonë dhe të mbahen të ndarë gjatë nga familja. Kjo është diçka jonjerëzore”.

Politika zvicerane me vite të tëra ka qenë strikte: i donte punëtorët sezonalë jo vetëm nga Ballkani, por assesi nuk lejonte që ata t’i marrin me vete familjet.

Vetëm nën presionin e shteteve të fuqishme si Italia dhe Spanja qeveria zvicerane u detyrua të lejojë bashkimin familjar për të gjithë – përfshirë edhe shqiptarët.

Wiprächtiger në këtë intervistë tregon se gjatë karrierës së tij u bë ekspert i kulturës shqiptare. “Përherë kam kaluar mirë me njerëzit nga trevat shqiptare. Shqiptarin e parë e kam njoftuar në vitin 1981 dhe pastaj rrethi im është bërë gjithnjë e më i madh. Pas luftërave në Ballkan kam shkuar shpesh në Kosovë. Mua më bën përshtypje edhe sot mikpritja dhe sjellja me respekt ndaj njerëzve që vijnë prej kulturave të tjera. Ndoshta unë kam deri-diku mall për jetën e thjeshtë. Kulturën shqiptare e kam njohur para se të bëhem gjykatës”, tha ai.

Në pyetjen nëse kjo njohje ka qenë përparësi apo pengesë, Wiprächtiger përgjigjet:

“Ashiqare ka qenë përparësi. Në dhjetë vitet e fundit njohuritë e mia të gjuhës shqipe janë përmirësuar vazhdimisht dhe unë tani mund të lexojë dhe të kuptojë tekste mjaft mirë. Por duhet thënë se kosovarët flasin dialektin e tyre, me këtë kam deri-diku vështirësi.Kam pasur shumë përjetime me shqiptarë. Në jetën private shumë gjëra të bukura, në profesion më shumë raste dramatike. Meqë jam interesuar për gjuhën dhe kulturën shqiptare, unë e kuptoj kulturën e tyre, që neve nganjëherë na duket e huaj. Ajo është e tillë edhe si pasojë e historisë së tyre të vështirë në shekujt e fundit. Por mos ta teprojmë: edhe ne zviceranët para disa kohësh pjesërisht kemi pasur situata që ne shpeshherë i injorojmë”.

Gjatë karrierës së tij Wiprächtiger ka gjykuar shumë raste, por disa prej tyre i kanë mbetur në kujtesë për shkak të anës dramatike. Për shembull rasti i një plake të sëmurë nga Kosova, e cila atje nuk kishte askënd nga familja.

“Ajo ishte e sëmurë dhe gjithnjë e më shumë demente. Praktikisht mbarë familja e saj jetonte në Zvicër. Kërkesa e saj (për t’iu bashkuar familjes në Zvicër) ishte hedhur poshtë nga instancat paraprake. Por ne i kemi vlerësuar ndryshe rrethanat, e kemi verifikuar situatën financiare të familjarëve të saj në Zvicër. Pastaj ne mund të llogaritnim se kjo grua nuk do t’i binte barrë shtetit. Instanca paraprake (ministria kantonale e drejtësisë dhe sigurisë) e kishte gjykuar ndryshe rastin. Por ky rast është bërë i plotfuqishëm”.

Por rastin që nuk dëshiron ta harrojë kurrë gjykatësi Wiprächtiger është ky:

“Bëhej fjalë, mes tjerash, edhe për dhunë brutale familjare. Një grua e re, e rritur këtu, kërkonte strehim në Zvicër duke ikur nga i ati. Ajo dhe motrat e vëllezërit e saj ishin rrahur shpesh nga i ati. Fëmijët ishin rritur këtu. Për shkak të delikteve me drogë babai gjendej në burg në Zvicër, pastaj mbarë familja u dëbua (nga Zvicra) dhe dhuna familjare vazhdoi atje poshtë (në Kosovë) edhe më tutje. Për shkak të maltretimeve fëmijët ishin të detyruar të flinin jashtë. Në këtë rast për këtë grua të re kemi arritur që çështja e saj të trajtohet si ‹rast i rëndë› dhe t’i jepet një leje për qëndrim këtu. Por Enti Federal për Migracion e kishte gjykuar rastin ndryshe. Këtë rast nuk do ta harroj kurrë”.

Wiprächtiger tregon se gjatë karrierës së tij si gjykatës nuk është kërcënuar, por është lutur të tregohet i mëshirshëm, për shembull kur një burrë nga Senegali i kishte rënë në gjunjë dhe me lot në sy i ishte lutur ta lejonte të qëndrojë në Zvicër.

Ose rasti i një pjesëtari të komunitetit ashkali në Kosovë, i cili pasi kishte marrë vendimin për të braktisur Zvicrën, sepse nuk i plotësonte kushtet për azil, kishte luftuar me mjete juridike deri në Strassburg, në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Pa sukses.

Wiprächtiger është optimist sa i përket të ardhmes së shqiptarëve në Zvicër.

Pas dhjetë apo njëzet vitesh për shqiptarët nuk do të flitet keq siç flitet tani në Zvicër, thotë ai. Gjykatësi nënvizon sidomos rëndësinë e arsimimit të gjeneratave të reja. Këtu kërkohet ndihma e prindërve për fëmijët e tyre.

“Me kalimin e kohës do të ketë gjithnjë e më shumë shqiptarë që do të ketë pozita të larta, për shembull avokatë apo mjekë. Shqiptarët duhet të organizohen më mirë. Shqiptarët duhet të mësojnë të përkrahin një organizatë, t’i japin asaj një shans dhe të mos e kundërshtojnë nga fillimi”.

Wiprächtiger rrjedh nga një familje me traditë në fushën e drejtësisë. Xhaxhai i tij ka qenë kryetar gjykate në lokalitetin Willisau, vëllai i tij ka shërbyer si gjykatës konfederal në Gjykatën e Kasacionit.

Wiprächtiger është anëtar i Partisë së Gjelbër dhe është angazhuar përherë për drejtësi sociale, barazi, sundim ligji dhe integrim.

29 maji ka qenë dita e tij e fundit e punës në Gjykatën Kantonale në Luzern. (DialogPlus)