Gjyqtari Llaban – Nga Kushtetuesja ia bëjnë me dije Osmanit se procedurat për shkarkim janë të përcaktuara në Kushtetutë
Dje, më 5 gusht të këtij viti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj K0215/25 të cilën e kishte dorëuzar më 22 korrik në Gjykatë Kushtetuese, duke kërkuar që të interpretohej se çka do të ndodh pasi ka përfunduar afati 30 ditor i dhënë nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit. Këtë kërkesë,…

Lajme
Dje, më 5 gusht të këtij viti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj K0215/25 të cilën e kishte dorëuzar më 22 korrik në Gjykatë Kushtetuese, duke kërkuar që të interpretohej se çka do të ndodh pasi ka përfunduar afati 30 ditor i dhënë nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.
Këtë kërkesë, Osmani dje përmes një konference për media ka thënë se e ka tërhequr pasi si gjyqtar raportues nga Gjykata Kushtetuese, është caktuar Radomir Llaban.
Ky gjyqtar, sipas Osmanit është i rrezikshëm për sigurinë kombëtarë të Republikës së Kosovës.
“Sipas rregullit 36 të rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari raportues ka rol kyç në vlerësimin e pranueshmërisë, meritave të kërkesës dhe kërkesës për masë të përkohshme. Gjyqtari raportues e trason rrugën e një rasti, rrugë kjo që ndiqet pastaj nga Gjykata në thuaja të gjitha rasteve. Në bazë të rregullores, përkundër praktikës për ndarje të balancuar të rasteve mes gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka diskrecion të plotë të vendos se cili rast i caktohet cilit gjyqtar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se përcaktimi i këtij gjyqtari rrezikon sigurinë.
“Saktësisht para një viti, kemi ngritur edhe publikisht çështjen e informatave të pranuara zyrtarisht nga institucionet tona të sigurisë s ai përket rrezikut që Laban e paraqet për sigurinë kombëtare dhe siç e përmenda të njëjtat janë ndarë më Gjykatën Kushtetuese. Bazuar në këto informacione edhe Ministria e Drejtësisë kishte refuzuar ta emëronte atë në pozitën e noterit. Bazuar në këto raporte kredibile të institucioneve të sigurisë, të cilat e cilësojnë veprimtarinë e Laban si veprimtari në kundërshtim me rendin e vendit tonë, konsideroj se Laban si gjyqtar raportues në këtë proces është jo vetëm shqetësues pore dhe i rrezikshëm. Kjo meqë mund të merren vendime të cilat mund të shkaktojnë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme jo vetëm për institucionet aktuale pore dhe ato në të ardhmen. Kjo cenon besueshmërinë e Gjykatës për rastin konkret si dhe rrezikon krijimin e një precedenti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë”, ka shtuar Osmani.
E para e shtetit, dje në këtë konferencë ka thënë se caktimi i gjyqtarit raportues është plotësisht në diskrecion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kjo sot është “demantuar” nga vetë Gjykata Kushtetuese.
“Unë i kuptoj rregullat brenda Gjykatës Kushtetuese, edhe i lexojmë ato në detaje. Përkundër faktit që ekziston një system elektronik, kjo çështje e caktimit të gjyqtarit në fund të fundit është komplet në diskrecion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Është shqetësuese se përkundër ndarjes së informatave me Gjykatën Kushtetuese, por edhe pse në korrik të vitit 2024, ne si Presidente jemi deklaruar publikisht rreth kësaj teme, që institucionet e sigurisë e kanë vlerësuar të rrezikshëm për rendin kushtetues. Pikërisht në rastin më të rëndësishëm të kësaj dekade që ka të bëj jo vetëm me këto institucione pore dhe me ato që do të vijnë në të ardhmen, të caktohet si gjyqtar raportues, gjyqtari për të cilin ekzistojnë informata të tilla”, ka shtuar Osmani.
Nga kjo Gjykatë, kanë thënë se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat sipas tyre kjo Gjykatë i respekton me përpikëri.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese.
Osmani dje ka përmendur edhe emërimin e Llabanit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, të cilin ka thënë se nuk e ka emëruar jo ndërkaq ka përmendur edhe mundësinë për ta shkarkuar dhe si vijon procedura.
“Ky gjyqtar nuk është emëruar nga ana ime por është emëruar në vitin 2018, po ashtu sipas Kushtetutës së Kosovës, shkarkimi i një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm pasi të votohet një gjë e tillë nga 2/3 e gjyqtarëve dhe shkarkimi pastaj i propozohet presidentes nga vetë Gjykata. Pa një propozim të tillë nga Gjykata, sipas Kushtetutës nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e Presidentes”, ka thënë Osmani.
Në lidhje me këtë, nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se Radomir Llaban ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011 si Këshilltar juridik, ndërsa nga 9 gushti i 2018-tës ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Për të marr këtë pozitë, nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se Llaban i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese i ka rikujtuar Osmanit se procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.
“Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese.
Kërkesa të cilën vetë e ka dorëzuar dhe vetë e ka tërhequr presidentja Osmani nga Gjykata Kushtetuese, do të sqaronte njëherë e mirë se si do të duhej të veprohej në situata të tilla kur do të bllokohej formimi i institucioneve sikur në legjislaturën e IX-të të Kuvendit të Kosovës.
Ajo dje ka inkurajuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të dërgojnë kërkesë tjetër në Gjykatë Kushtetuese, për të njëjtën temë, por siç ka thënë ajo “duke shpresuar se nuk do të jetë gjyqtari i njëjtë raportues”. /Lajmi.net/
Komunikata e plotë në Facebook: