Gjyqi për Ibër-Lepencin: Mblidhen prova rreth përgatitjeve që u zhvilluan në Serbi
Prokurori special, Bekim Kodraliu, deklaroi se sulmi i 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit nuk ishte një veprim spontan. Ai tha se, sipas Prokurorisë, sulmi në Ibër-Lepenc përbën sulmin e katërt të kësaj natyre, pas sulmit ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë në vitin 2022, sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në vitin 2023, barrikadave…
Lajme
Prokurori special, Bekim Kodraliu, deklaroi se sulmi i 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit nuk ishte një veprim spontan.
Ai tha se, sipas Prokurorisë, sulmi në Ibër-Lepenc përbën sulmin e katërt të kësaj natyre, pas sulmit ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë në vitin 2022, sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në vitin 2023, barrikadave dhe sulmit në Banjskë po atë vit.
“Nga hetimet e zhvilluara dhe nga provat e siguruara është vërtetuar se të pandehurit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, kanë kryer veprat penale siç janë përshkruar në dispozitivin e aktakuzës. Kjo aktakuzë nuk ka të bëjë me një vepër të zakonshme penale. Ajo ka të bëjë me një sulm të organizuar dhe të planifikuar mirë kundër infrastrukturës kritike të Kosovës, për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm dhe për funksionimin energjetik të Kosovës… Të akuzuarit së bashku me disa persona ende të panjohur kanë vendosur eksploziv të llojit TNT, 20 kilogramë. Për këto veprime, Prokuroria i ngarkon të pandehurit për veprën penale ‘Rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e pajisjeve publike’, lidhur me veprën penale ‘Vepër terroriste’ në bashkëkryerje”, tha ai.
Kodraliu tha se gjatë kontrolleve tek të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje ushtarake.
Prokurori special tha po ashtu se një pjesë e provave lidhen edhe me trajnimet dhe përgatitjet që dyshohet se janë zhvilluar në Serbi.
Ai tha se të dy vëllezërit e akuzuarit dyshohen edhe për vrasje të rëndë në territorin e Istogut, duke kërkuar dënim sipas kodit penal të Kosovës.
“Nga provat që do të paraqiten do të jenë edhe provat që paraqesin trajnimet dhe përgatitjet që janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Livadhet e Pasulit’, në Serbi, që tashmë po dyshohet që ka edhe varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës”, tha ai.