Gjyqi i pafilluar ndaj Hashimit dhe gjyqi i mbaruar ndaj Albinit

22:09 | 5 Nentor 2021

Ndërtesa e paraburgimit e Gjykatës Speciale për Kosovën, fshihet pas një spitali policor antinarkotikësh në periferi të Hagës dhe prej një viti është i populluar me 7 shqiptarë të Kosovës, për të cilët me sa duket urgjenca më e madhe ka qenë t’i mbyllnin aty.

Shkruan: Mero Baze

Një vit më parë si sot, më 5 nëntor, aty u mbyll dhe Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës dhe njeriu i luftës së Kosovës. Për gati një vit, ata ende janë larg kohës kur mund të dalin në gjyq, pasi me sa duket tani gjykimi nuk është më shqetësim ndërkombëtar. Madje as hetimi i dosjes nuk duket më i tillë. Urgjenca me sa duket ishte vetëm arrestimi i tyre.

Hashim Thaçi u shfaq në dhomën e vizitorëve i paprekur nga burgimi njëvjeçar, as nga pamje fizike, por as nga përditësimi për atë çfarë ndodhte jashtë burgut. I qartë për kryqëzimin e tij dhe arsyet që e kishin mbyllur në atë dhomë, njeriu i luftës së Kosovës mu duk në paqe me të gjithë.

Por, mbi të gjitha me veten. Nuk priste ndihmë nga askush, përveçse nga koha, e cila i ka mbetur aleati kryesor. Besimi se do të dilte i pafajshëm, dhe bindja se kjo kryqëzatë mbi të dhe disa nga figurat politike të Kosovës, ishte çmimi që ata duhet të paguanin deri në fund të jetës së tyre për Kosovën, është i vetmi që u jepte kurajo në ato qeli ku ishin mbyllur.

Dëshmitarët kundër Thaçit, policë të akuzuar për krime lufte

“Kur mendoj që dhe mund të ishim vrarë në luftë, mendoj se gjithçka tjetër na bën më të fortë”, – thotë pa shumë patetizëm, në dhomën e ngushtë të vizitorëve ku unë përpiqem të bëj humor me formën e mirë fizike apo regjimin e tij ditor në palestër.

Shto këtu dhe mungesën e mëshirës nga Filip Çakuli, i cili i thotë të heqë dorë nga kërkesa për kthim në Kosovë, se mund ta dënojnë me arrest shtëpie dhe do të çmendet. Në fakt nuk e ka prioritet kthimin në Kosovë, edhe pse qeveria atje ja ka mbushur mendjen Hagës se Hashimi kontrollon gjithçka në polici dhe drejtësi. Prioritet ka gjyqin, për të cilin duket se Haga nuk është gati.

Ai duket se thjesht i ka mbushur mendjen vetes se mbyllja aty, është pjesë e bilancit të jetës së tij dhe ka vendosur ta marrë më qetë sprovën e fundit para së cilës e ka vënë drejtësia.

Është paska cinike, por për një vit në qeli, njeriu i Luftës së Kosovës ka mësuar për herë të parë emrat e gjithë komandantëve të policisë serbe në Kosovë, të cilët do t’i ketë dëshmitarë në gjyq shumica e të cilëve janë persona në kërkim për krime, ose të dënuar si të tillë. Disa janë dhe më të shquar se të tjerët. Komandanti i Policisë serbe në Prizren, ai në Mitrovicë dhe Prishtinë janë ndër ata që janë përgjegjës për krime të tmerrshme mbi shqiptarët, si masakra e Krushës, Likoshanit, Mehjes etj.

Ata janë njëkohësisht njerëzit që Prokuroria ka përzgjedhur të dëshmojnë për Hashim Thaçin. Dhe kjo është pak e trishtueshme për seriozitetin e Gjykatës. Të tjerë janë qytetarë të Serbisë dhe disa shqiptarë, disa prej të cilëve banojnë në Serbi. Duket se Thaçi nuk ka ndonjë shqetësim për askënd prej tyre, përveç vetëdijes se janë përzgjedhur si njerëz që mund të justifikonin vetëm ndalimin e tij, por jo dënimin.

Shumica e dosjes që kanë përpara avokatët e tij është e pamenaxhueshme. Një ish- diplomat i Kosovës në Hagë, i liruar nga detyra prej Albin Kurtit, tani punon me grupin e avokatëve të Thaçit privatisht tregon se ka mbi 10 mijë faqe fotokopje nga Facebook, mijëra shkrime gazetash të gjetura me “googel search” dhe shumë interpretime rreth faktit nëse Thaçi ishte njeri me autoritet apo njeri autoritar në UÇK.

Kjo e fundit është thelbi i akuzës, ngaqë mungojnë akuza për akte personale. Akuzat rreth tij vërtiten se “ai është përgjegjës si autoritet përfaqësues i UÇK-së” dhe jo si person që ka ndonjë akt individual kriminal.

Ky fakt, duket që tani pas një viti, e ka bërë të ndjehet shumë i qetë dhe i qartë, “përse duhej arrestuar me nxitim një vit më parë”, duke e kthyer nga rruga për në Uashington, kur ende prokurorët nuk kanë gati asgjë të përfundua për të.

Si një Gjykatë e krijuar për të balancuar ndëshkimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ndaj ish- zyrtarëve Jugosllavë për krime lufte, Gjykata Speciale e Kosovës e krijuar nga vetë Hashim Thaçi, duket se nxitoi të hante kokën e themeluesit të saj, pikërisht kur pa se ishte shumë e gjatë koha kur ata mund të kishin një akuzë të qartë dhe të dukeshin sikur do kishin sukses.

Në vend të rezultatit të hetimeve, ata preferuan arrestime paraprake, duke i qetësuar të gjithë kundërshtarët e Kosovës dhe po ashtu të gjithë kundërshtarët e Thaçit brenda Kosovës, duke krijuar me këtë rast dhe një fushë bosh për ta.

Qeveria e Kosovës, e vetmja që u ka rënduar pozitat në Hagë deri më sot

Disa ditë më parë, disa zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovë kishin shkuar në Hagë, por Hashim Thaçi nuk i priti në takim. Dhe kishte një arsyetim për këtë.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”.

E vërteta është se Albin Kurti është i vetmi që ka rënduar pozitën e tyre në Gjykatë, me dy akte publike. E para, kur barazoi krimet serbe në Kosovë me ato të UÇK dhe tha se duhen dënuar të gjithë ata që kanë bërë krime lufte, si shqiptarë, dhe serbë. Deklarata që i ngjan shumë deklaratave të veprimtarëve të të Drejtave të Njeriut, që Kurti si ka fort për zemër, bëhet nga një politikan, i cili është ngjitur deri aty si luftënxitës, si ithtar i konfliktit, dhe ka qenë zëdhënës i një politikani që ka deklaruar se nuk pendohet dhe nëse vriten qindra mijëra shqiptarë në luftë.

E thënë kjo, sapo Thaçi dhe politikanët e tjerë të Kosovës u çuan në Hagë, ngjan si një leje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për ndëshkimin e tyre. Për fat të keq të Kurtit, as prokurori në Hagë dhe as Gjykata këtu, nuk është aq partizane sa ai për dënimin e Thaçit, dhe mund të zhgënjehet.

Qëndrimi i dytë ishte marrëveshja për shkëmbimin e arkivave të UÇK, duke i barazavlerësuar me ato të ushtrisë serbe në Kosovë. Për hir të së vërtetës, e vetmja arkivë e UÇK janë deklaratat e Albin Kurtit nga Prishtina deri para bombardimeve në emër të përfaqësuesit politik të UÇK, Adem Demaçi, pa dhënë ende dorëheqje dhe deklaratat politike të UÇK që janë me numër rendor dhe të gjitha të botuara.

Të tjerat janë këngë me çifteli për të vrarët në luftë apo masakrat që kanë ndodhur. Ta marrësh UÇK seriozisht si ushtri të organizuar shtetërore me arkiva dhe struktura ushtarake, edhe pas 20 vitesh kur e di të vërtetën, është ligësi. Ajo ishte institucion besimi për miliona shqiptarë të frustruar nga masakrat serbe, por jo institucion ushtarak.

UÇK ishte një institucion lufte, por nuk ka qenë kurrë një ushtri profesionale apo me hierarki që mund të barazvlerësohet me ushtrinë e një shteti si Serbia. UÇK ishte institucion besimi, e lindur nga dështimi i komunitetit ndërkombëtar për ta marrë me seriozitetin që duhej Kosovën, pas Dejtonit. Është një ushtri e krijuar për të mos ta lënë të dështonte ëndrra e shqiptarëve për pavarësi, e cila nisi si rrugë paqësore dhe po degradonte nën një fushatë masakrash nga Serbia.

“Arkivat” e UÇK gjenden në çdo deklaratë të Grupit të Kontaktit pas vitit 1997, në çdo raport ndërkombëtar për ofensivën e vitit 1998 në Kosovë nga marsi në nëntor dhe në çdo raport të Misionit Ndërkombëtar në Kosovë gjatë atij viti. Të vetmit që nuk kanë shkruar historinë e tyre në letra janë ata që ishin në mal apo rrugëve të Kosovës e Shqipërisë në emër të UÇK. Dhe shija e hidhur është se Albin Kurti e di këtë, por mendon se kështu Haga e ndihmon t’ia mbajë larg rivalët e tij politik, të cilët në të vërtetë dëshmuan se e mundin atë dhe pa qenë në Kosovë.

Dhe e kanë bërë këtë jo se janë marrë me fushatë apo kanë dhënë ndonjë porosi, por se shqiptarët në Kosovë e kuptuan shumë shpejt se Albin Kurti, i cili u fitoi një ndeshje në një fushë bosh, filloi t’i gënjejë shqiptarët me lug bosh edhe pasi erdhi në pushtet.

Me dy djem të rinj përballë tij, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, ai befas mbeti pa armiq dhe pa motive për luftë dhe u rrënua si askush tjetër në historinë politike të shqiptarëve këto 100 vjet, duke humbur rreth 250 mijë vota për disa muaj, çka për Kosovën është sikur të humbasësh gjithçka. Brenda një viti Kosova ja bëri gjyqin Albinit, përpara se Haga t’ia bënte Hashimit.