Gjykimi vrasjen në Malishevë, dy dëshmitarë rrëfejnë se çfarë kanë parë ditën kritike

Në gjykimin ku Nafije Rrafshi dhe bija e saj, Behare Nura, po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë vrarë të ndjerin Sefer Berisha në Malishevë, në seancën e së martës janë dëgjuar dëshmitarët Bajrush Hoti dhe Shqipron Shala.

Lajme

11/05/2021 16:34

Të njëjtit janë deklaruar lidhur me ato çfarë kanë parë ditën kritike, kur kanë hasur në viktimën.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Emrush Kastrati, dëshmitari Bajrush Hoti tregoi se ditën kritike kishte qenë duke shkuar me disa kolegë në të pame kur kishin hasur në viktimën.

“Duke shkuar në të pame rrugës për Lladrovc kam vërejtur një makinë dhe lëvizjet e makinës nuk më janë dukur normale. Kam shkuar edhe 50-60 metra dhe jam kthyer mbrapa në vend shihej zhavorr më duket se ka qenë një deponi e “Bechtel Enka”. Te zhavorri ka qenë i puthitur kerri i ndalur por i ndezur dhe rrotat e para i qitshin tym, për shkak se ishte makina e ndezur dhe rrotat i silleshin në vend. Kolegët që ishin me mu kanë dalë para meje dhe që të tre kanë vrapuar në drejtim të makinës. Derisa e kam parkuar automjetin ata veç kanë mbërri në vend atje dhe e kanë pa situatën dhe posa kam dal nga makina ata më kanë thirre, më kanë thanë thirre policinë se është një rast.”, deklaroi dëshmitari Hoti.

Dëshmitari tutje tha se njëri nga kolegët e tij e ka fikur makinën që ishte ndezur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kolegëve i kam thënë të mos prekin kurrgjë, po njëri prej shokëve e ka fikur makinën sepse ishte rrezik që e njëjta ka mundur të marrë zjarre. Kur jam afru 5-6 metra te makina, e kam pa një viktimë që e ka pasur kokën kah ana e pasagjerit në derën e përparme të pasagjerit të anës së djathtë dhe viktima ka qenë i varur me kokë thuajse jashtë makinës.”, tha tutje dëshmitari.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Shqipron Shala, i cili tha se kishte qenë bashkë me dëshmitarin Hoti ditën kritik, si dhe me dy kolegë të tjerë.

“Ditën kritike kemi qenë duke shkuar në të pame dhe kemi qenë duke shkuar në fshatin Lladrovc së bashku me kolegët Bajrush Hoti, Sali Morina dhe Sami Kapexholli. Aty para se të hynim në fshatin Lladrovc vendi ka qenë ku i ka pasur “Bechtel Enka” mjetet e veta dhe papritur aty e kemi pa një veturë e cila ka qenë e ndalur, por gomat kanë qenë duke lëvizur në vend dhe qitshin tym. Jemi ndal aty dhe unë si më i ri kam vrapua shpejt për të dhënë ndihmë dhe unë e kam hapur derën e përparme të djathtë të pasagjerit dhe kam vërejtur se aty ishte një viktimë. Pastaj aty ka ardhur edhe kolegu Sali Morina, i cili nga xhami i thyer i derës së shoferit e ka futur dorën dhe e ka fikur makinën dhe jemi tërhequr pak dhe e kemi lajmëruar policinë.”. tha dëshmitari Shala.

Të dy dëshmitarët thanë se para se të arrinin në vendin e ngjarjes, një veturë ka kaluar me shpejtësi të madhe në rrugën me kthesa në anën e kundërt të tyre dhe se kishin shpëtuar pa u përplasur me të.

Pas dëgjimit të tyre, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika njoftoi se seanca do të vazhdojë më 12 maj, siç është planifikuar më herët.

Fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka, kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se  e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 1 dhjetor 2020, Behare Nura  po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, ato vrasjen e kanë kryer në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Berisha ishte duke drejtuar automjetin e tij të udhëtarëve të tipit “Opel Vectra” dhe në momentin kur arrinë  në rrugën “Habib Zogaj”, e akuzuara Nafije me të vërejtur tani të ndjerin gjersa ishte duke drejtuar automjetin “Alpha Romeo”, në të cilin automjet ndodhej edhe e akuzuara Behare, e akuzuara Nafije e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes, që të dyjat dalin nga automjeti dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ndalur në një breg në afërsi të pyllit dhe nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolën e tipit TT kalibër 7.62mm shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 i KPRK-së.

E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.

Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 19 janarit 2019 e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57 vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni  178 të KPRK-së si dhe “mbajtje në pronësi, posedim  ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi