Gjykimi në Hagë: Më 15 shtator dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se më 15 shtator 2025 do të nisë zyrtarisht dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të fillojë në ora 09:00 dhe do…

Lajme
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se më 15 shtator 2025 do të nisë zyrtarisht dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të fillojë në ora 09:00 dhe do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash. Dëshmitari i parë që do të paraqitet është thirrur nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit. Seanca pritet të zhvillohet kryesisht në mënyrë publike.
Për shkak të interesimit të madh, DhSK ka kërkuar regjistrim paraprak për ata që dëshirojnë ta ndjekin seancën nga galeria e publikut në ambientet e gjykatës në Hagë. Regjistrimi bëhet përmes adresës elektronike [email protected], ndërsa konfirmimi i pjesëmarrjes do të dërgohet më së voni deri më 11 shtator 2025. Mediat e interesuara duhet të njoftojnë paraprakisht nëse kanë nevojë për hapësirë në qendrën për media.
Ndërkohë, një ditë para se të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve, më 14 shtator, është planifikuar të mbahet një protestë në Hagë, e organizuar nga mbështetësit e të akuzuarve.
Sa i përket kalendarit të procedurës, DhSK ka bërë të ditur se më 14 nëntor 2025 pritet të përfundojë paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes. Ndërsa, parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat që marrin pjesë në proces, janë planifikuar të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.