Gjykata vendos, edhe dy muaj paraburgimi ndaj të dyshuarve për terrorizëm

E plotësuar: Gjykata Themelore, përkatësisht gjyqtari i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, ka vendosur t’ua vazhdojë edhe për dy muaj paraburgimin 32 të dyshuarve për kryerjen e veprave terroriste, si dhe arrestin shtëpiak gjashtë të tjerëve të këtij grupi, të arrestuar më 11 gusht. 

Lajme

10/09/2014 11:31

Prokuroria e Shtetit, pas arrestimit me 11 gusht, kishte bërë të ditur se gati të gjithë të arrestuarit për terrorizëm kanë qenë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, ISIS dhe Al Nusra.

Operacioni i arrestimit ishte ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Arrestimi i dyzetekatër peronave nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

Përveç pjesëmarrjes në luftime përkrah organizatave terroriste, ata dyshohen se kanë rekrutuar shtetas të tjerë për të luftuar në Irak dhe Siri, si dhe kanë nxitur ekstremizmin fetarë, urrejtjen ndërfetare dhe përçarjen kombëtare të shqiptarëve.

————————————————————–

Prokuroria kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për terrorizëm

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të vendosë nëse do t’ua vazhdojë paraburgimin pjesëtarëve të grupit të arrestuar, një muaj më parë, nën dyshimin për terrorizëm.

Prokurori Special, Blerim Isufaj, tashmë e ka parashtruar kërkesën për vazhdimin e kësaj mase.

Me vendimin e parë paraburgimi ishte caktuar ndaj 40 personave, prokurori i rastit sipas kërkesës së siguruar nga “Zëri” tashmë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj 32 të pandehurve, derisa për gjashtë të tjerë ka kërkuar vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Më 11 gusht të këtij viti ishte zhvilluar aksioni policor në kërkim të 57 të dyshuarve për veprën penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nxitja e urrejtjes përçarëse ose mosdurimi kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm” e disa nga të arrestuarit edhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Ditën e parë ishin arrestuar 40 të dyshuar, derisa tre të tjerë disa ditë më vonë.

Para disa ditësh është arrestuar edhe personi i 44-të i këtij grupi, derisa 13 mbetën në arrati.

Jo të gjithë të arrestuarit e para një muaji gjenden në paraburgim, pasi ndaj gjashtë prej tyre është ndryshuar masa, nga paraburgimi në arrestim, derisa pesë të tjerë ndërkohë janë liruar.

Sipas prokurorit, ndaj 38 personave ekziston rreziku që të fshihen me qëllim që t’i shmangen ballafaqimit me drejtësinë.

Shumica nga të pandehurit dyshohen se kanë qenë në luftën në Siri përkrahë organizatave terroriste “ISIS” e “Al-Nusra”.

“Duke marrë parasysh se qëllimi i të pandehurve ka qenë bashkëngjitja në grupe terroriste që luftojnë në Siri dhe faktit se të pandehurit edhe më parë kishin qenë në Siri, nëse gjenden në liri ka arsye të besohet se do të arratisen, duke tentuar që në mënyrë ilegale të shkojnë në Siri dhe në këtë mënyrë të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e prokurorit, Blerim Isufaj.

Prokurori ka njoftuar se deri më tani i ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe se hetimet janë në fazën kur po analizohen rezultatet e masave të fshehta teknike të përgjimit të telefonave.

Lidhur me kërkesën e prokurorit, pritet që sot të vendosë Gjykata Themelore, përkatësisht gjyqtari i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva.

Duke marrë parasysh se qëllimi i të pandehurve ka qenë bashkëngjitja në grupe terroriste që luftojnë në Siri dhe faktit se të pandehurit edhe më parë kishin qenë në Siri, nëse gjenden në liri ka arsye të besohet se do të arratisen, duke tentuar që në mënyrë ilegale të shkojnë në Siri, thotë prokurori Blerim Isufaj.