Gjykata urdhëron kthimin në punë të Nexhat Krasniqit dhe kompensim, shkarkimi i tij i kundërligjshëm

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka detyruar përmes një aktgjykimi të datës 03.11.2025 Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ta kthejë në vendin e punës Nexhat Krasniqin, ish-shefin e prokurimit në këtë Ministri. Këtë për lajmi.net, e ka konfirmuar edhe avokati i Nexhat Krasniqit, Hajzer Salihu. Salihu ka thënë se përveç kthimin…

Lajme

04/11/2025 13:13

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka detyruar përmes një aktgjykimi të datës 03.11.2025 Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ta kthejë në vendin e punës Nexhat Krasniqin, ish-shefin e prokurimit në këtë Ministri.

Këtë për lajmi.net, e ka konfirmuar edhe avokati i Nexhat Krasniqit, Hajzer Salihu.

Salihu ka thënë se përveç kthimin në punë të Krasniqit, Gjykata e ka obliguar Ministrinë e Mjedisit që ta kompensojë atë edhe me një shumë rreth 15,000-16,000 euro, për të gjitha pagat që nuk i kishte marrë nga viti 2023, pasi ishte larguar nga puna me vendim të komisionit disiplinor të Ministrisë.

“E kemi pranu aktgjykimin. E ka aprovu padinë e paditësit (Nexhat Krasniqi) dhe ka anuluar vendimin e të paditurve – Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës edhe Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës. pra e ka detyru Ministrinë që ta kthejë në vendin e punës, për shkak se dy vendimet, edhe i shkallës së parë, edhe i shkallës së dytë, kanë qenë me paligjshmëri të theksuar” ka deklaruar Salihu.

Sipas avokatit Salihu, Krasniqi ishte pezulluar e larguar nga puna brenda dite në nëntor 2023 nga Ministria e Mjedisit dhe vlerëson se kjo është paligjshmëria e krejt këtij procesi.

“Sikur sot e kanë iniciua procedurën disiplinore dhe ka marrë vendim komisioni disiplinor pa e thirrë, pa e dëgju, pa kurrgjë, ka marrë vendim për largim prej punës. Vendim arbitrar… Ka vendosë komisioni disiplinor, pa e ftu në seancë, pa ia dhanë të drejtën me njoftu se çka është inicu procedura ndaj tij. Pa ia dhanë të drejtën me u dëgju, me i dhanë argumentet dhe kundër argumentet e tij” – shtoi Salihu.

Ndonëse aso kohe ishte raportuar se Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH) e kishte sanksionuar Nexhat Krasniqin dy vjet më parë, më 03.11.2023, avokati Salihu tha se Krasniqi nuk kishte pasur sanksionim, por sipas tij, kishte pasur vetëm refuzim të vizës hyrëse në Amerikë, në atë kohë.

“Ka pasë kërkesë për pajisje me vizë, është refuzu. Po flasim për 2023… Ky ka apliku për vizë, i është refuzu viza, arsyetimi ka qenë i tillë edhe mbi bazën e qasaj këta kanë inicu procedurë edhe e kanë largu prej pune”, ka thënë Salihu.

DASH në vendimin e tij më 3 nëntor 2023, e kishte caktuar Krasniqin si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

“Shtetet e Bashkuara e sanksionojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni” – thuhej në vendimin e DASH-it.

“Vendimet e gjykatës janë obligim për institucionet qe t’i zbatojnë kur ato marrin formën e prerë“, deklaroi mes tjerash Salihu për lajmi.net.

Ndryshe në aktgjykimin e nxjerrë më 27 tetor, thuhet se janë anuluar dy vendime, të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe atë të Ministrisë, rrjedhimisht Komisionit Disiplinor, duke u konstatuar se Krasniqi u largua kundërligjshëm

Sipas këtij aktgjykimi, është konstatuar se Komisioni Disiplinor, nuk e ka kryer asnjë veprim që ka për obligim t’i ndërmarrë me rastin e  shqyrtimit disiplinor të paraqitur ndaj Krasniqit dhe vendimi për largimin e tij, ka shkelur parimin e çështjes së gjykuar.

Masa disiplinore ndaj Krasniqit ishte marrë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, më 21 nëntor 2023, “pa mbajtur seancë dhe pa e ftuar paditësin për të dhënë argumentet e tij”.

Vendimi i nxjerrë nga Këshilli është jo ligjor dhe jo i drejtë, pasi janë shkelur të drejtat e Krasniqit, ka konstatuar tutje gjykata.

Si përfundim, vendimet e Komisionit Disiplinor dhe të KPMShCK-së, sipas vlerësimit të gjykatës, janë juridikisht të paqarta dhe kundërthënëse me vetveten, si dhe me arsyetimin e tyre.

Nexhat Krasniqi, zyrtar i shërbimit civil që nga viti 2014, ishte larguar nga puna brenda vetëm dy ditësh.

Ndërkaq më 21 nëntor 2023, Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Mjedisit kishte vendosur një masë të rreptë ndaj tij, pasi kishte shqyrtuar rastin lidhur me sanksionimin e tij nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së me “ndalim hyrjeje” në këtë shtet. /Lajmi,net/