Gjykata Themelore lë në fuqi aktakuzën ndaj dy ish-ministrave Krasniqi dhe Shala

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, duke konfirmuar aktakuzën e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare. “REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe për…

Lajme

14/04/2025 15:23

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, duke konfirmuar aktakuzën e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe për hedhjen e aktakuzës me shenjën PPS.nr34.2022 të datës 30.08.2024, e parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit V.K- Av. Artan Qerkini, dhe nga mbrojtësi i të pandehurit E.Sh.,- Av. Besnik Berisha”, thuhet në vendimin e marrë më 13 shkurt 2025.

Sipas vendimit, Themelorja ka gjetur se aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar në ligj dhe se nga provat e bashkëngjitura si në aktakuzë formohet dyshimi i bazuar se Shala dhe Krasniqi kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë.

Në vendim thuhet se në aktakuzë janë përshkruar në detaje shkeljet e kryera, mënyra e veprimit, forma e fajit, si dhe dëmi nga Shala dhe Krasniqi, duke u formuar kështu figura e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykata ka gjetur se aktakuza është e ngritur konform dispozitave ligjore dhe se nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se të akuzarve Shala dhe Krasniqi se e njëjta është e pasafatshme.

I pabazuar, sipas Gjykatës është edhe pretendimi tjetër se aktakuza nuk ka prova të mjaftueshme, pasi që sipas vendimit, aktakuza ka prova të mjaftueshme mbi bazën e të cilave do të vërtetohet gjendja faktike.

Lidhur me mungesën e dashjes që mbrojtja e Shalës dhe Krasniqit pretendojnë se ka munguar, një rrethanë e tillë, Gjykata vlerëson se do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Tutje, Themelorja ka gjetur se citimi i rasteve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) nga ana e mbrojtjes në këtë fazë të procedurës është e hershme dhe se ende nuk është gjykuar rasti dhe nuk është vendosur lidhur me pretendimet si në aktakuzë.

Gjithashtu, shkalla e parë ka theksuar në vendim se mbrojtja e të akuzuarve përderisa pretendon se aktakuza nuk ka prova të mjaftueshme, nuk ka ofruar asnjë provë që vërteton moskryerjen e veprave penale nga të akuzuarit.

Gjykata ka theksuar së nuk ekzistojnë rrethana për përjashtimin e përgjegjësisë penale, veprat penale nuk janë të përfshira në amnisti, nuk është arritur parashkrimi i veprave penale, dhe se ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se Shala dhe Krasniqi kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Prandaj, Gjykata ka gjetur se në këtë çështje penale duhet të vazhdohet me procedim duke u lëshuar në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 27 nëntor 2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2024 kishte paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për plotësimin/përmirësimin e aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.

Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.

Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.

Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Kurse, Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.

Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.

Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.

Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.

Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021. Detajet nga deklarimi i dy të akuzuarve në Prokurori mund t’i gjeni këtu.