Gjykata Supreme vendos për tre ankesa zgjedhore: Dy refuzohen, njëri kthehet në rivendosje
Kolegjet e Gjykatës Supreme të Kosovës kanë shqyrtuar tre ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke refuzuar dy prej tyre si të pabazuara dhe duke pranuar njërën si të bazuar, e cila i është kthyer PZAP-së për rivendosje. Rasti i parë – Ankesa e PDK-së refuzohet Në…
Lajme
Kolegjet e Gjykatës Supreme të Kosovës kanë shqyrtuar tre ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke refuzuar dy prej tyre si të pabazuara dhe duke pranuar njërën si të bazuar, e cila i është kthyer PZAP-së për rivendosje.
Rasti i parë – Ankesa e PDK-së refuzohet
Në lëndën AA.nr.122/2025, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte rivotim në Komunën e Mitrovicës. PDK kishte kontestuar vendimin e PZAP-së ZL.Anr.439/2025 të datës 14 nëntor 2025, duke pretenduar se procesi zgjedhor kishte pësuar shkelje të rënda.
Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet nuk ishin provuar dhe se nuk kishte bazë ligjore për të vërtetuar shkelje substanciale që do të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve apo rezultatin përfundimtar. Prandaj, gjykata vlerësoi se rivotimi nuk ishte i arsyeshëm.
Rasti i dytë – Ankesa e Labinot Halilajt nga Gllogoci refuzohet
Në lëndën AA.nr.121/2025, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar ankesën e Labinot Halilajt, kandidat i subjektit PDKRLL në Gllogoc, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.440/2025. PZAP e kishte hedhur ankesën si të pasafatshme, ndërsa Halilaj kërkonte rinumërimin e të gjitha votave për asamblenë komunale.
Gjykata Supreme vlerësoi se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe se nuk ishte cenuar e drejta zgjedhore apo ndonjë e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë.
Rasti i tretë – Ankesa e Avni Gashit nga Istogu pranohet
Në lëndën A.A.nr.120/2025, Gjykata Supreme ka pranuar si të bazuar ankesën e Avni Gashit, kandidat i AAK-së në Komunën e Istogut. Gashi kishte kërkuar rinumërim votash dhe verifikim të materialit zgjedhor, pasi PZAP kishte refuzuar kërkesën e tij.
Gjykata konstatoi se PZAP nuk kishte vepruar sipas udhëzimeve të mëparshme të gjykatës dhe nuk kishte zbatuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i mundëson PZAP-it të urdhërojë rinumërim dhe shqyrtim të materialit votues.
Sipas gjykatës, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara është i domosdoshëm për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe saktësinë e rezultatit, në përputhje me nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës.
Rasti i kthehet PZAP-së, e cila udhëzohet të shqyrtojë sërish provat, pretendimet dhe të kryejë hetime të mëtejshme për të siguruar që vullneti i qytetarëve të reflektohet saktë.